Shqipëria, gati për miqësoren ndaj Izraelit… për kuqezinjtë ditë debutimesh!
Pas aventurës për t’u kualifikuar në Kupën e Botës 2026, kombëtarja shqiptare rikthehet këtë të mërkurë në fushë në një miqësore përballë Izraelit, në “Air Albania”, duke filluar nga ora 20:00.
Një 90-minutësh që vlen shumë për të parë gjendjen e futbollistëve në këtë fund sezoni, por që lidhet edhe me debutimin e trajnerit Rolando Maran.
Tekniku Italiani do ketë testin e parë në pankinën e kombëtares shqiptare, teksa ka pak dilema për formacionin që do të hedh në fushë.
Bashkë me Maran pritet të ketë debutim edhe për mesfushorin debutues Luis Hasën, i cili besohet se do të rreshtohet pas sulmuesit kryesor në rolin e fantazistit.
Ndërkaq, me largimin e Ismajlit, mbrojtja mund të përbëhet nga Ajeti e Gjimshiti, ndërsa në krah do të veprojnë të zakonshmit, Hysaj-Mitaj.
Alen Sherri fiton balotazhin në portë, ndërsa në mesin e fushës konfirmohen Shehu e Asllani. Uzuni e Bajrami duket se e kanë gati fanelën e titullarit, ndërkaq, në majën e sulmit do të rikthehet Armando Broja.
Kjo përballje ka një domethënie të veçantë, pasi do të jetë takimi i shtatë në histori mes dy ekipeve kombëtare dhe njëkohësisht i pari në kuadër miqësor.
Deri më tani, të gjitha ndeshjet mes Shqipërisë dhe Izraelit janë zhvilluar në kuadër të kualifikueseve për Kupës së Botës dhe Ligës së Kombeve.
Bilanci nuk është në favor të kuqezinjve, të cilët kanë arritur të fitojnë vetëm dy nga këto përballje, ndërsa në katër raste kanë dalë të mposhtur.
Vetëm tre ditë më vonë, më 6 qershor, sërish në orën 20:00, Shqipëria do të rikthehet në fushën e “Air Albania” për të përballur në një miqësore me Luksemburgun.

