REALI DOMINON ÇMIMET NË CHAMPIONS/ Mbappe golashënuesi më i mirë, Vinicius kryeson asistet, Gyler talenti i sezonit

Real Madridi e mbylli sezonin pa trofe, por dominoi në vlerësimet individuale të Champions League. Mbappe u shpall golashënuesi më i mirë i turneut, Vinicius kryesoi listën e asistuesve, ndërsa goli i Valverdes ndaj Sitit  u shpall më i miri i edicionit.

Edhe pse e mbylli sezonin pa asnjë trofe madhor, Real Madridi arriti të dominojë në disa prej vlerësimeve individuale të Champions League.

Klubi madrilen pati përfaqësuesit e tij në krye të statistikave më të rëndësishme të turneut. Kylian Mbappe u shpall golashënuesi më i mirë i kompeticionit me 15 gola, duke lënë pas sulmuesin e Bayern Munichut, Harry Kane, me 14 realizime. Vendin e tretë e ndanë Khvicha Kvaratskhelia i Paris Saint-Germainit, Julian Alvarez i Atletico Madridit dhe Anthony Gordon i Neëcastle, të gjithë me nga 10 gola.

Në renditjen e asistuesve, Vinicius Junior e mbylli sezonin në krye me 8 asistime, po aq sa Olise i Bayern Munih. Pas tyre u renditën Hakimi dhe Kvaratskhelia me nga 6 asistime secili.

Një tjetër vlerësim për madrilenët erdhi nga Arda Gyler. Mesfushori turk u shpall zbulimi i sezonit në Champions League, pas paraqitjeve mbresëlënëse me fanellën e Realit gjatë gjithë edicionit.

Real Madridi siguroi edhe një tjetër trofe individual, me Federico Valverde që fitoi çmimin për golin më të bukur të sezonit në Champions League, falë realizimit spektakolar ndaj Manchester Cityt.

Megjithatë, çmimi më i rëndësishëm individual, ai i lojtarit më të mirë të sezonit, shkoi për yllin e Paris Saint-Germainit, Kvaratskhelia, i cili udhëhoqi francezët drejt triumfit europian. Në podium pas tij u vlerësuan Vitinja dhe Ousmane Dembele, gjithashtu pjesë e skuadrës kampione.

Kështu, pavarësisht se sezoni u mbyll pa trofe ekiporë, “Los Blancos” treguan edhe një herë, forcën e tyre individuale në skenën më të madhe të futbollit europian.