REKORDI NË KUPËN E BOTËS/ Lionel Messi do të përfaqësojë Argjentinën për të gjashtën herë

Lionel Messi do të luajë në Kupën e Botës për herë të gjashtë, duke udhëhequr Argjentinën kampione në fuqi në turneun e vitit 2026. Me 26 ndeshje të luajtura në Botëror, ai mban rekordin e paraqitjeve dhe bëhet, bashkë me Cristiano Ronaldon, një nga dy lojtarët e vetëm që marrin pjesë në gjashtë edicione të Kupës së Botës.

Lionel Messi do të luajë në Kupën e Botës për herë të gjashtë, pasi do të udhëheqë kampionët në fuqi të Argjentinës në turneun e vitit 2026.

Sulmuesi, i cili do të mbushë 39 vjeç gjatë turneut, u përfshi të enjten në listën me 26 lojtarë të trajnerit Lionel Scaloni, pasi katër vite më parë udhëhoqi Argjentinën drejt triumfit të tretë në Kupën e Botës, duke mposhtur Francën me penallti në finalen e Katarit.

Me 26 ndeshje të luajtura, Messi mban rekordin aktual për numrin më të madh të paraqitjeve në Kupat e Botës nga çdo futbollist.

Ai do t’i bashkohet sulmuesit portugez Cristiano Ronaldo, 41 vjeç, si lojtarët e vetëm që marrin pjesë në një edicion të gjashtë të turneut më të madh të futbollit.

Portieri i Aston Villa-s, Emiliano Martinez, i shpallur portieri më i mirë i turneut në vitin 2022, po ashtu është përfshirë në skuadër.

Janë grumbulluar edhe Lisandro Martinez i Manchester United dhe Cristian Romero i Tottenham, i cili humbi fundin e sezonit në Premier League për shkak të një dëmtimi në gju.

Mes pesë lojtarëve që aktivizohen në Britaninë e Madhe janë edhe mesfushori i Liverpool-it, Alexis Mac Allister, dhe ai i Chelsea-t, Enzo Fernandez. Finalet do të zhvillohen në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë.

Julian Alvarez i Atletico Madrid dhe Lautaro Martinez i Interit janë mes 17 lojtarëve që fituan trofeun në vitin 2022 dhe rikthehen për të tentuar mbrojtjen e titullit.

Argjentina bën pjesë në Grupin J dhe e nis fushatën në Kansas City kundër Algjerisë më 17 qershor. Më pas do të luajë në Dallas ndaj Austrisë më 22 qershor dhe Jordanisë më 28 qershor.

Mesi ka zhvilluar 198 ndeshje me kombëtaren argjentinase dhe mund të arrijë shifrën 200 nëse luan në dy miqësoret e ardhshme, kundër Hondurasit në Teksas dhe Islandës në Alabama.

Mes mungesave të rëndësishme janë sulmuesi në formë i Aston Villa-s, Emi Buendia, Paulo Dybala i Romës, sezoni i të cilit u ndikua nga dëmtimet, si dhe talenti 18-vjeçar i Real Madridit, Franco Mastantuono.

Jashtë listës mbeti edhe anësori i Benfica-s, Gianluca Prestianni, i cili ka vetëm një paraqitje me kombëtaren.

FIFA njoftoi se ai do të mungojë në dy ndeshjet e para të turneut për shkak të ofendimeve ndaj Vinicius Jr.