REVOLUCION TE JUVENTUSI! Trajneri Spalleti kërkon përvojë dhe lidership në skuadër
Trajneri Luciano Spalleti dhe drejtori sportiv Comolli synojnë ndryshime të rëndësishme në strukturën e ekipit, ku në fokus mbetet sulmi. Në rast se konkretizohet largimi i Vllahovic, emri qe mund ta zëvendësojë është francezi Randal Kolo Muani.
Pas zyrtarizimit të strukturës drejtuese dhe teknike, me Comollin në drejtim dhe Luciano Spallettin në pankinë, Juventusi është gati të hapë një kapitull të ri. Megjithatë, mungesa e të ardhurave nga Liga e Kampionëve e detyron klubin torinez të veprojë me kujdes në merkaton e verës, duke kërkuar zgjidhje të zgjuara për të përforcuar skuadrën.
Sektori që pritet të pësojë ndryshimet më të mëdha është sulmi. E ardhmja e Dusan Vlahoviç mbetet e paqartë dhe gjithnjë e më shumë po flitet për një largim të mundshëm të sulmuesit serb.
Në këtë skenar, emri më i përfolur mbetet ai i Randal Kolo Muanit. Francezi, në pronësi të Paris Saint-Germain, konsiderohet si kandidati kryesor për të udhëhequr repartin ofensiv bardhezi. Palët kanë shfaqur interes reciprok dhe tashmë pritet vetëm gjetja e formulës së duhur për të finalizuar marrëveshjen.
Lëvizje të rëndësishme priten edhe në mesfushë. Në listën e dëshirave të Juventusit është futur kapiteni i Atletico Madridit, Koke. Mesfushori spanjoll ka edhe një vit kontratë me klubin madrilen dhe mund të përfaqësojë një mundësi interesante për bardhezinjtë, të cilët kërkojnë më shumë përvojë dhe personalitet në skuadër.
Një tjetër emër që po fiton terren është ai i Brahim Diaz. Mesfushori ofensiv i Real Madridit vlerësohet shumë nga Luciano Spalletti dhe mund të largohet nga kryeqyteti spanjoll në kërkim të më shumë hapësirave. Sezonin e kaluar ai regjistroi 42 paraqitje, duke realizuar dy gola dhe nëntë asistime.
Situata mbetet e hapur edhe në portë. Besimi ndaj Michele Di Gregorios duket se është lëkundur dhe drejtuesit po shqyrtojnë disa alternativa me eksperiencë. Emri më prestigjioz është ai i Emiliano “Dibu” Martinez.
Portieri argjentinas, kampion bote dhe fitues i Europa League me Aston Villan, konsiderohet objektivi më ambicioz, edhe pse kostot e operacionit mbeten shumë të larta.
Ndër alternativat e tjera spikasin Guglielmo Vicario dhe Alex Meret. I pari mund të rikthehet në Itali pas eksperiencës në Premier League, ndërsa i dyti mbetet një profil i vlerësuar nga Spalletti, me të cilin fitoi titullin kampion te Napoli në vitin 2023.

