Kombëtarja në fazë të re/ Gjimshiti: Po punojmë për t’u përshtatur shpejt
Kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti, ka folur në konferencën për shtyp në prag të miqësores ndaj Kombëtarja e Izraelit, duke theksuar se ekipi kuqezi po hyn në një fazë të re me trajnerin Rolando Maran.
Gjimshiti u ndal fillimisht te ecuria e fundit e skuadrës, duke pranuar se humbja në ndeshjen e kaluar ka qenë e vështirë për t’u përballuar, sidomos pasi ekipi kishte besuar fort te mundësia për të arritur objektivat madhorë. Megjithatë, sipas tij, tashmë gjithçka është fokusuar te një fillim i ri dhe te ndërtimi i një cikli të ri me staf të ndryshuar.
Ai theksoi se grupi i lojtarëve mbetet thuajse i njëjtë, me disa prurje të reja, ndërsa përgatitjet kanë qenë intensive pavarësisht kohës së kufizuar. “Kemi pasur vetëm pak ditë bashkë, por idetë e trajnerit janë të qarta dhe po mundohemi t’i përvetësojmë sa më shpejt,” u shpreh kapiteni kuqezi.
Duke folur për ndryshimet në filozofinë e lojës, Gjimshiti sqaroi se çdo trajner ka stilin e tij dhe se krahasimet nuk janë të drejtpërdrejta. Ai nënvizoi se si ish-trajneri Sylvinho ashtu edhe Maran kanë qasje të ndryshme taktike, ndërsa skuadra po përshtatet gradualisht me kërkesat e reja në fushë.
Mbrojtësi kuqezi pranoi se ndryshimet taktike dhe pozicionale nuk janë të lehta për t’u implementuar në një periudhë të shkurtër, por theksoi se gjërat kryesore që kërkon stafi teknik janë kuptuar nga lojtarët dhe po zbatohen në stërvitje.
Në fund, Gjimshiti u shpreh optimist për të ardhmen e tij dhe të Kombëtares, duke thënë se shpreson të vazhdojë të kontribuojë për disa vite, për aq kohë sa trupi dhe niveli i tij e lejojnë të jetë pjesë e futbollit elitar.
