Glasner me sytë nga Milani! Trajneri mbylli bashkëpunimin me Crystal Palace

Crystal Palace ka mbyllur bashkëpunimin me trajnerin Oliver Glasner. Trajneri austriak falënderoi stafin dhe tifozët për mbështetjen, ndërsa flitet për një emërim të mundshëm në pankinën e Milanit.

Oliver Glasner zyrtarisht nuk është më trajner i Crystal Palace.

Fundi i bashkëpunimit u njoftua nga vetë klubi përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ndërsa trajneri austriak përshëndeti tifozët  me një letër emocionale:

“Po ju shkruaj këtë mëngjes pas mbrëmjes madhështore në Leipzig, të cilën shumë prej jush e përjetuan si këtu ashtu edhe në shtëpi, dhe shpresoj që të gjithë të keni ende një buzëqeshje të madhe në fytyrë, njësoj si ne.

Është e vështirë të shpjegoj se si ndihem duke u larguar nga Crystal Palace pas këtyre dy viteve të fundit, por duhet të them se ka qenë një privilegj të punoj për këtë klub futbolli”, shprehet Glasner.

Glasner e cilësoi periudhën e tij në Londër si një privilegj të madh, duke theksuar se Crystal Palace është një klub i veçantë, me një lidhje të fortë mes ekipit dhe tifozëve.

Kujtoi me krenari trofetë e fituar gjatë drejtimit të skuadrës, mes tyre edhe triumfin e fundit në Ligën e Konferencës, por nënvizoi se arritja më e madhe mbetet fryma e grupit dhe uniteti i krijuar mes lojtarëve, stafit dhe tifozëve.

“Futbolli ka gjithmonë të bëjë me rezultatet. Pa rezultate, nuk qëndron askund për një kohë të gjatë . Por rezultatet, dhe madje edhe trofetë, nuk janë ato për të cilat jam më krenar.

Ajo për të cilën jam më shumë krenar është fakti që kam qenë pjesë e një ekipi që ndërtuam së bashku dhe lidhja midis lojtarëve, stafit të trajnerëve, dhe mbi të gjitha jush, tifozëve”, tha ai.

Ndërkohë, e ardhmja e Glasner mund të jetë në Itali. Mediat raportojnë se ai është një nga kandidatët kryesorë për të marrë drejtimin e Milanit, në rast se Ralf Rangnick zyrtarizohet në strukturat drejtuese të klubit kuqezi.