Salla: Blegtoria, ndër shtyllat e sigurisë ushqimore

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, në Ditën Botërore të Qumështit vlerësoi punën dhe kontributin e blegtorëve shqiptarë në prodhimin e qumështit, duke e cilësuar këtë sektor si një nga shtyllat më të rëndësishme të ushqimit dhe sigurisë ushqimore në vend.

“Në Ditën Botërore të Qumështit, vlerësojmë punën e blegtorëve shqiptarë që çdo ditë kontribuojnë në prodhimin e një prej produkteve më të rëndësishme për ushqimin dhe sigurinë ushqimore të vendit”, u shpreh Salla.

Sektori i blegtorisë zë një peshë të rëndësishme në bujqësinë shqiptare dhe mbetet një nga degët kryesore të ekonomisë rurale. Industria përfaqësohet nga një rrjet fermash dhe fabrikash të përpunimit të qumështit, ndërsa zonat me potencialin më të lartë të prodhimit shtrihen kryesisht në qarqet e Korçës, Fierit, Shkodrës, Elbasanit dhe Dibrës.

Ministri Salla theksoi se qeveria shqiptare i ka kushtuar vëmendje të veçantë zhvillimit të këtij sektori, duke mbështetur prej vitesh blegtorinë përmes skemave të subvencioneve dhe fondeve në rritje, me synim rritjen e prodhimit vendas, përmirësimin e cilësisë dhe fuqizimin e fermave shqiptare.

Mbështetja për blegtorinë dhe industrinë e qumështit mbetet një prioritet i politikave bujqësore, si pjesë e angazhimit për zhvillimin e qëndrueshëm rural dhe garantimin e produkteve cilësore vendase për konsumatorët.