"Kushtet nuk janë normale” - Këshilli i ri Kombëtar, Biberaj: Ka vend për hapje të PD-së, për ripërtëritje edhe më të thellë

Partia Demokratike sapo ka përmbyllur Kuvendin e saj Kombëtar, një ngjarje që konsiderohet vendimtare për të ardhmen e forcës më të madhe opozitare në vend. Në fokus të këtij organizimi ishin zgjedhjet për Këshillin Kombëtar dhe përcjellja e mesazheve politike për hapat e ardhshëm që do të ndiqen.

I ftuar ne "ORA NEWS" në një lidhje të drejtpërdrejtë, Aleksandër Biberaj, një ditë pasi u shpall anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, diskutoi mbi zhvillimet e fundit,ku raportohet se ky proces përbën një ripërtëritje të domosdoshme të strukturave partiake.

Ai theksoi se zhvillimet në ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për rrugëtimin e ri të opozitës dhe strategjinë që do të ndiqet për të adresuar sfidat e ardhshme.

"Natyrisht që Kuvendi Kombëtar është një ngjarje e rëndësishme politike për Partinë Demokratike, për demokratët. Ishte sipas parashikimeve të statutit, pra ishte një Kuvend i radhës, por në kushte... në kushte jo normale do të thosha sepse dihen kushtet në të cilat ndodhet sot Shqipëria, politika shqiptare, ekonomia, biznesi, sistemi i drejtësisë.

Kështu që ishte një zhvillim normal, u paraqitën platforma nga lidershipi i Partisë Demokratike dhe natyrisht procesi i votimit pastaj pati rezultatet që mendoj kanë shënuar dhe një farë ripërtëritje të rëndësishme të Partisë Demokratike për mandatin e radhës së Këshillit Kombëtar dhe pastaj të forumeve që do të dalin nga Këshilli Kombëtar.

Kështu që mendoj dhe gjykoj që ka vend për hapje të Partisë Demokratike, ka vend për ripërtëritje edhe më të thellë, edhe më të shtrirë nëpërmjet zgjedhjes së drejtuesve të rinj të Partisë Demokratike, pra Kryesisë, sekretariatit dhe drejtuesve të tjerë të strukturave të Partisë Demokratike" -tha ai.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË