Gazment Bardhi, letër publike Ramës: Fole për gjithçka, përveç pronarëve fundorë që fshihen në parajsa fiskale
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i është përgjigjur me një letër publike Kryeministrit Edi Rama pas fjalimit të tij 70-minutësh për projektin e Zvërnecit.
Në reagimin e tij, Bardhi ironizon faktin se Kryeministri foli gjatë për investitorët, interesimin ndërkombëtar për projektin, kundërshtarët e tij politikë, si dhe për një sërë çështjesh që sipas tij nuk kishin lidhje me pyetjen kryesore që po bëjnë sot shqiptarët. "Na the kush u interesua për Zvërnecin. Na the kush po investon. Na the kush na ka zili dhe kush po na mashtron. Por nuk na the kush janë pronarët përfitues fundorë", shkruan Bardhi në letrën e tij publike.
Sipas Bardhit, debati nuk është kush po investon në projekt, por kush e kontrollon atë në fund të zinxhirit të pronësisë. Ai thekson se kompania që kontrollon projektin dhe mban lejen e zhvillimit lidhet me një strukturë të regjistruar në Hollandë, ku emrat e pronarëve përfitues fundorë nuk janë publikë. Për këtë arsye, ai i kërkon Kryeministrit të bëjë publike identitetet e tyre.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së argumenton se për një projekt të këtyre përmasave nuk mjafton të njihen investitorët apo promotorët publikë të tij, por duhet të ketë transparencë të plotë edhe për personat që përfitojnë në fund nga struktura e pronësisë. "Shqiptarët duan emrat. Emrat e atyre që fshihen pas kompanive-guackë dhe të cilëve ti u ke firmosur lejen e zhvillimit", shprehet Bardhi.
Në reagimin e tij, ai ndalet edhe te deklarata e Kryeministrit se në projekt nuk ka pasuri shtetërore dhe se gjithçka është pronë private. Bardhi ngre pikëpyetje edhe mbi deklarimin e Ramës se investitorëve u është dhënë e drejta për të ndërtuar ishuj në det. "Sot na the edhe se u paske dhënë të drejtën të ndërtojnë ishuj në det. Po sot na sigurove edhe se në këtë projekt nuk ka asgjë shtetërore dhe se gjithçka është pronë private. Atëherë lind një pyetje e thjeshtë: deti është bërë pronë private dhe nuk e paskemi marrë vesh?" – shkruan ai.
Gazment Bardhi i kërkon Kryeministrit të japë një përgjigje të qartë për identitetin e pronarëve përfitues fundorë të strukturës që kontrollon projektin e Zvërnecit. "Nëse nuk përgjigjesh dot, atëherë mos na harxho kohën me hartime patriotike dhe vegime apokaliptike. Kështu mund të mbrosh ndonjë interes tëndin, por jo interesin publik", thuhet në letrë???? e kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, i cili i referohet edhe deklaratës së Kryeministrit se është i gatshëm të tërhiqet në Surrel, duke e kthyer atë në ironinë përmbyllëse të reagimit. "Dhe nga gjithçka që the në ato 70 minuta të mundimshme për t’u dëgjuar, vetëm një ide ia vlen të mbahet mend: të ikësh në katundin tënd. Ide e shkëlqyer. I mbyllur në Surrel do të bëje shumë më pak dëm", përfundon Gazment Bardhi.
