DHUNA NDAJ PROTESTUESVE NË ZVËRNEC/ Policia e Shtetit i heq licensat ‘Myrto Security’ e ‘Major Security’

Policia e Shtetit i hoqi licencat kompanive private “Myrto Security” dhe “Major Security” pas dhunës ndaj protestuesve në Zvërnec, duke konstatuar shkelje të rënda dhe përfshirje të personave të paautorizuar. Një roje private u la në burg, dy të tjerë po hetohen, ndërsa zinxhiri komandues I policisë së Vlorës po I nënshtohet një hetimi disiplinor për menaxhimin e ngjarjeve

Policia e Shtetit njoftoi heqjen e licensës dy kompanive të sigurisë private, “Myrto Security 1.3A” dhe “Major Security”, pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës së 30 majit në Portonovë të Zvërnecit.

Vendimi sic njofton policia e shtetit pasoi hetimin administrativ që konstatoi shkelje në mënyrën e organizimit dhe ushtrimit të shërbimit të sigurisë për të cilin ishin kontraktuar në zonën ku po zhvillohej protesta kundër projektit për ndërtimin e një resorti turistik aty.

Hetimet  treguan se shoqëria  “Myrto Security 1.3A” nuk kishte zbatuar rregullat për kontrollin e hyrje-daljeve në objekt dhe nuk administronte listën e personave apo mjeteve të autorizuara.

Si pasojë në ambientet e rrethuara kanë hyrë persona të paidentifikuar, të cilët gjatë protestës kanë goditur dhe tërhequr me forcë një qytetar, si dhe duke reaguar me gurë dhe sende të tjera ndaj protestuesve, ndërsa punonjësit e kompanisë nuk kanë ndërmarrë veprime për t’i ndaluar apo larguar këta persona, thotë policia e Shtetit.

Punonësji i “Major Security”, Gerald Biba u arrestua pasi qëlloi me grusht një qytetar, ndërsa Artur Grami dhe Gazmend Vathi, po hetohen pasi e tërhoqën zvarrë duke i shkaktuar dhe lëndime trupore. Këta dy të fundit, nga verifikimet rezultojnë të pa pajisur me licencë për ushtrimin e këtij aktiviteti.

Në përfundim të hetimeve administrative, për shkeljet e konstatuara, të dy subjekteve iu hoq licenca për ushtrimin e këtij aktiviteti, ndërsa Hetimet penale dhe administrative vijojnë, thotë Policia.

Po këtë të hënë, gjykata e Vlorës, konfirmoi masën arrest me burg për Gerald Bibën, për veprat penale "Heqja e paligjshme e lirisë" dhe "Plagosja e lehtë me dashje".

Pas ngjarjeve Kryepolici Skënder Hita vendosi pezullimin nga detyra të drejtorit të Policisë së Vlorës Elidon Çela ndërsa zinxhiri komandues i Drejtorisë së Policisë po përballet me hetim disiplinor në lidhje me masat dhe menaxhimin e protestës dhe mosveprimet.