FUTBOLLI I VAJZAVE/ Samanta Hysa: Humbën kualifikimin për një detaj, ja ç’po ndodh me vajzat e Kombëtares
Një sezon me ulje dhe ngritje ka qenë ky i fundit për futbollin e vajzave në qytetin e Durrësit. Skuadra arriti një sukses historik duke fituar Kupën e Shqipërisë për herë të parë, por ëndrra për të dominuar kampionatin dhe për të siguruar një biletë në kompeticionet evropiane u ndërpre në gjysmë.
Për të folur më tepër për këtë temë, i ftuar në emisionin “Ora Sport”, në “Ora News”, ishte futbollistja Samanta Hysa.
Ajo tha se në fazën "Final Four", një barazim fatal kundër ekipit të Fierit bëri që këta të fundit të kalonin në finale falë renditjes më të mirë, duke rrëmbyer kështu kualifikimin për në Champions League. Synimi kryesor i vajzave durrsake ishte Evropa, por pavarësisht këtij pengu, skuadra mbetet optimiste për të fituar të dyja trofetë në sezonin e ardhshëm.
Ndërkohë, vëmendja është zhvendosur edhe te përfaqësimi ndërkombëtar me Kombëtaren e Shqipërisë. Gjatë grumbullimit të fundit, vajzat kuqezi u përballën me Turqinë, Lihtenshtajnin dhe Malin e Zi, duke siguruar një pozicionim të respektueshëm në vendin e dytë.
Një humbje e ngushtë 1-0 kundër Turqisë iu mohoi shansin e artë për një barazim që mund të siguronte kualifikimin historik në Ligën A.
Megjithatë, zhvillimi i futbollit të vajzave po ecën me hapa të shpejtë dhe ekipi po tregon rritje nga dita në ditë.
Sfida e radhës për Kombëtaren do të jetë në fund të vitit, ndërsa thirrja e vetme që mbetet pezull është për më shumë mbështetje, pasi shkallët e stadiumeve vazhdojnë të vuajnë mungesën e tifozëve.
PËR MË SHUMË NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ORA SPORT” NË “ORA NEWS”

