Kvaratskhelia shpallet lojtari më i mirë i Champions League 2025/26
Khvicha Kvaratskhelia është shpallur lojtari më i mirë i edicionit 2025/26 të Ligës së Kampioneve. UEFA i akordoi çmimin sulmuesit gjeorgjian pas paraqitjeve të jashtëzakonshme me Paris Saint-Germainin, që kulmuan me triumfin në finalen e Budapestit ndaj Arsenalit.
Ish-lojtari i Napolit ishte një nga protagonistët absolutë të rrugëtimit fitues të skuadrës franceze drejt trofeut më të rëndësishëm europian për klube. Në finalen ndaj Arsenalit, Kvaratskhelia fitoi penalltinë që solli golin e barazimit për PSG-në, duke konfirmuar edhe një herë rëndësinë e tij në momentet vendimtare.
Sulmuesi gjeorgjian e mbylli sezonin në Champions League me statistika mbresëlënëse: 16 paraqitje, 10 gola dhe shtatë asistime. Shifrat e tij, por edhe ndikimi në lojën e PSG-së gjatë gjithë kompeticionit, bindën UEFA-n që ta vlerësonte si futbollistin më të mirë të turneut.
Kvaratskhelia vazhdon kështu të konfirmohet si një nga ‘yjet’ më të mëdhenj të futbollit europian, ndërsa sezoni i tij me PSG-në do të mbahet mend gjatë nga tifozët parisienë.
