VIDEO/ Egnatia “ngre në qiell” trofeun! Presidenti i Egnatias: Kemi lindur për të fituar! Do bëjmë maksimumin për Europën
Egnatia është shpallur kampione e Shqipërisë, pasi mposhti Dinamon me rezultatin 2-0 në ndeshjen e fundit të Final Four. Skuadra rrogozhinase konfirmoi edhe një herë forcën e saj, duke zhvilluar një paraqitje të nivelit të lartë dhe duke merituar plotësisht triumfin.
Pas vërshëllimës përfundimtare në “Elbasan Arena”, festa shpërtheu në fushë, teksa futbollistët, stafi teknik dhe drejtuesit e klubit festuan suksesin e madh.
Momenti kulmor erdhi me ngritjen e trofeut të Superiores, i cili u ngjit lart nga kampionët mes ovacioneve dhe atmosferës festive. Për rrogozhinasit, ky është titulli i 3-të radhazi.
Presidenti i Egnatias: Vazhdojmë kështu, bëjmë maksimumin për Europën
Presidenti i Egnatias, Agim Demrozi, ka folur me emocione të mëdha pas shpalljes kampion të skuadrës së tij, për herë të 3-të radhazi.
Numri një i klubit theksoi se Egnatia mori atë që meritonte, ndërsa u shpreh i vendosur që skuadra të vazhdojë të luftojë për trofe edhe në të ardhmen.
“Vijmë nga vendi i 3-të dhe fitojmë trofeun, kjo është një ndjesi e pashpjegueshme. Sekreti është që Egnatia është krijuar për të fituar. Me punën e palodhur që bëjnë çunat, isha i bindur që do ta fitonin edhe këtë vit. U jap fjalën që këtë vit jemi në grupet e Evropës.
Dedikimi? Në radhë të parë familjes sime që më suportojnë, pasi rri 24 orë te ekipi dhe më pas çunave të mrekullueshëm që kam këtu”, tha Demrozi pas fitores 2-0 ndaj Dinamos.


