Skandali i tolerimeve në futboll, Sorra: Ja si po zerohet djersa e ekipeve historike nga mentaliteti i pazarit
Një hije e rëndë dyshimi dhe akuzash ka mbuluar futbollin vendas, pas deklaratave tronditëse të bëra së fundmi në një studio televizive sportive.
Kampionati duket se është kthyer në një fushë kompromisesh, ku fitoret dhe humbjet vendosen bazuar në strategji tolerimesh dhe jo në meritokracinë e fushës së blertë.
Rasti i Egnatias është marrë si shembulli më i qartë i këtij fenomeni.
I ftuar në emisionin “Ora Sport” në “Ora News”, mjeshtri i sportit Arben Sorra, e cilësoi atë si një ekip pothuajse mesatar, skuadra rrogozhinase po akuzohet si një formacion që "kur do, fiton", falë tolerimeve të ndërsjella me klube të tjera.
Diskutimi Sorrës ka nxjerrë në pah se ndeshjet shpesh kthehen në ndere, ku skuadrat i lëshojnë rrugë njëra-tjetrës në varësi të nevojave për pikë apo ndikimeve të jashtme.
Por ajo që e kthen këtë situatë në një skandal të vërtetë është përfshirja e pretenduar e vetë kreut të Federatës. Sipas analizës, i pyetur mbi arsyet e një formule kampionati ku dominon mungesa e ndershmërisë – me përjashtim të pak ekipeve që thuhet se luajtën futboll të pastër – përgjigjja e tij raportohet të ketë qenë sa shokuese aq edhe qesharake. Justifikimi se "ky është mentaliteti shqiptar, ku ai që është më para duhet të tolerojë", jo vetëm që legjitimon padrejtësinë, por e kthen këtë teatër në një normë të pranueshme.
Pasojat e këtij mentaliteti janë shkatërruese për traditën e sportit. Fanellat e rënda dhe me histori, si ato të Vllaznisë apo Elbasanit, po zhvlerësohen totalisht. Djersa, mundi dhe kontributi i brezave të tërë sportistësh po zerohen përballë një sistemi që vlerëson pazarin dhe promovon artificat mediatike. Në një kampionat ku problemet kthehen në sukses në vend që të ndëshkohen, futbolli i vërtetë mbetet humbësi i vetëm.
PËR MË SHUMË NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ORA SPORT” NË “ORA NEWS”

