Çelmeta: Egnatia kampione, por fali ndeshje! Ja si i mbijetoi dramës së madhe psikologjike

Ekipi i Egnatias ka kurorëzuar një sezon të jashtëzakonshëm duke u shpallur kampion i Shqipërisë, por rrugëtimi drejt lavdisë nuk ka kaluar pa hije dyshimi dhe momente tepër kritike.

 Pavarësisht pjekurisë së treguar dhe fuqisë absolute për të fituar në momentet vendimtare, disa ndeshje specifike kanë ngritur pikëpyetje të mëdha mbi rrugëtimin e rrogozhinasve gjatë kampionatit.

Roland Çelmeta, menaxher futbolli, në studion e emisionit “Ora Sport” në “Ora News”, u shpreh se lëshimet e pashpjegueshme, si humbja e papritur në Vlorë apo disfatat e vazhdueshme sa herë që skuadra përballej me Durrësin, kanë zbehur disi imazhin e madh që klubi kishte ndërtuar.

Këto rezultate të çuditshme dhe luhatje të tilla në fushë janë parë si të pafalshme për një ekip me petkun e kampionit.

Megjithatë, pika kthesë e sezonit lidhet me një goditje të fortë psikologjike: largimin e trajnerit Edlir Tetova. Pavarësisht këtij momenti delikat që mund të kishte shkatërruar çdo skuadër tjetër pretendente, drejtuesit goditën në shenjë me afrimin e profesor Nevilit. Çelmeta tha se tekniku i ri diti të mbledhë ekipin dhe të rikthejë qetësinë e munguar pas atij shoku emocional.

Kjo ringritje u vërtetua më së miri në formatin "Final Four". Aty Egnatia nuk njohu më "lëshime" apo kompromise. Skuadra arriti të sistemojë të tre ekipet pretendente për titull, duke mos falur asnjë kundërshtar dhe duke treguar fytyrën e vërtetë të një kampioni të merituar që i mbyll llogaritë atëherë kur duhet.

PËR MË SHUMË NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ORA SPORT” NË “ORA NEWS”