Trump: Irani është zotuar të mos zhvillojë armë bërthamore

Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se Irani është zotuar të mos zhvillojë armë bërthamore, një nga pikat e ngërçit në negociatat midis Uashingtonit dhe Teheranit për t’i dhënë fund luftës së tyre.

Ndërsa të dy vendet dukeshin se po i afroheshin një marrëveshjeje ditët e fundit, ”New York Times” raportoi të shtunën se presidenti amerikan e kishte ashpërsuar propozimin e tij dhe i kishte dërguar Teheranit një version të ri të tekstit.

Media amerikane nuk ishte në gjendje të detajonte ndryshimet e bëra nga presidenti.

Por, sipas faqes së internetit Axios, Trump dëshiron një qëndrim më të fortë nga Uashingtoni për disa çështje që ai personalisht i konsideron të rëndësishme, përfshirë fatin e materialeve bërthamore iraniane.

Në një intervistë me Lara Trump, të regjistruar më parë këtë javë dhe të transmetuar të shtunën në ”Fox News”, presidenti pretendoi se kishte marrë siguri se Teherani nuk do të fitonte armë bërthamore, as duke i prodhuar as duke i blerë ato.

“E vetmja siguri që më duhet është se nuk do të ketë armë bërthamore. Ata ranë dakord për këtë, dhe ishte shumë interesante”, deklaroi Trump.

“Fillimisht thanë se nuk do të zhvillojmë një armë bërthamore. Unë thashë, në rregull, po sikur të blini një armë bërthamore? Tani ata po thonë se nuk do të zhvillojmë dhe nuk do të blejmë në asnjë mënyrë një armë”, theksoi Trump.