“Paguaj ose mos kalo”/ Alarm në korridorin e naftës në botë! Tarifa 2 mln $ e Iranit hap përplasje me SHBA-në dhe fuqitë botërore
Irani po përballet me reagime të shumta pas raportimeve se po kërkon deri në 2 milionë dollarë nga anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme detare për transportin e naftës dhe gazit në botë.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat ndërkombëtare, autoritetet iraniane e justifikojnë këtë pagesë me kostot e sigurisë, navigimit dhe dëmet e shkaktuara nga konflikti i fundit në rajon.
Po shqyrtohet gjithashtu mundësia që anijet të pajisen me leje të posaçme për të kaluar nëpër ngushticë.
Kjo nismë ka hasur kundërshtime nga disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kinën dhe shtete të Gjirit Persik.
Ekspertët e së drejtës detare argumentojnë se Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një rrugë ndërkombëtare lundrimi dhe kalimi në të nuk duhet të kushtëzohet me tarifa të tilla.
Ndryshe nga Hormuzi, kanale si ai i Suezit në Egjipt apo Kanali i Panamasë janë infrastrukturë e ndërtuar dhe e mirëmbajtur nga shtetet përkatëse, të cilat kanë të drejtë të vendosin tarifa për përdorimin e tyre.
Çështja pritet të jetë pjesë e diskutimeve të ardhshme mes Iranit dhe partnerëve ndërkombëtarë, ndërsa vazhdojnë debatet për lirinë e lundrimit dhe sigurinë e trafikut detar në një nga zonat më strategjike të botës.

