Shtohen shqetësimet se Bjellorusia mund të jetë një pikënisje për një ofensivë të re ruse në Ukrainë

Më shumë se katër vjet më parë, presidenti autoritar i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, lejoi aleaten e hershme, Rusinë, të përdorte territorin e tij për të pushtuar Ukrainën dhe tani zyrtarët në Kiev po paralajmërojnë se Lukashenko mund të lejojë përsëri që toka e tij të shërbejë si një pikënisje për më shumë sulme nga forcat e Kremlinit, sipas AP.

Ndërsa Bjellorusia nuk ka kontribuar me trupa në betejë, Lukashenko ka mbështetur përpjekjet e luftës të presidentit Vladimir Putin duke strehuar armët bërthamore dhe infrastrukturën ushtarake të Rusisë, si dhe duke prodhuar komponentë për industritë ushtarake të Moskës.

Më herët këtë muaj, vendet zhvilluan manovra të përbashkëta të forcave bërthamore që përfshinin armë ruse të vendosura në Bjellorusi.

Lukashenko, në pushtet për më shumë se tre dekada, ka sunduar kombin prej 9,5 milionë banorësh me grusht të hekurt, duke shtypur pa pushim mospajtimin dhe duke u mbështetur në lidhjet e tij të ngushta me Rusinë, si dhe në subvencione nga arkat e Kremlinit, për të kundërshtuar sanksionet e përsëritura perëndimore.

Bashkëpunimi ushtarak midis Moskës dhe Minskut po shqetëson gjithnjë e më shumë edhe aleatët e Ukrainës.

Kur Putini filloi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022, trupat ruse që u mblodhën në Bjellorusi nën maskën e manovrave ushtarake u sulën drejt Kievit, vetëm rreth 90 kilometra (56 milje) në jug të kufirit.

Shpresa e Putinit për të pushtuar shpejt Kievin u shkatërrua nga rezistenca e fortë ukrainase dhe autokolonat e tankeve ruse që shtriheshin përgjatë rrugëve të ngushta u bënë pre’ e lehtë.

Pak më shumë se një muaj pas pushtimit, trupat ruse që pësuan humbje të mëdha dhe luftuan për të ruajtur linjat e tyre të furnizimit u tërhoqën nga Kievi dhe zona të tjera që pushtuan në Ukrainën verilindore në atë që Kremlini e quajti një “gjest të vullnetit të mirë”.

Kur Moska u përpoq të negocionte një përfundim të shpejtë të konfliktit disa javë pas fillimit të tij, Bjellorusia priti bisedimet e para midis delegacioneve ruse dhe ukrainase.

Bisedimet u zhvendosën në Stamboll, por nuk arritën të prodhonin një marrëveshje.

Ndërsa konflikti u shndërrua në një luftë rraskapitëse, Bjellorusia ka luajtur një rol kyç në mbështetjen e përpjekjeve luftarake të Moskës.

Fabrikat bjelloruse kanë prodhuar komponentë të rëndësishëm, duke përfshirë mikroçipa dhe pajisje të tjera elektronike, sisteme udhëzimi optik, municione artilerie dhe kamionë të rëndë që mbajnë raketa balistike ruse.