Yjet e padelit magjepsen nga Tirana: Shqipëria po na bën të ndihemi si në shtëpi

Atmosfera e krijuar në zemër të Tiranës për turneun “FIP Platinum Albania” ka fituar jo vetëm publikun shqiptar, por edhe vetë protagonistët e mëdhenj të padelit botëror, të cilët nuk kanë kursyer vlerësimet për mikpritjen dhe energjinë e kryeqytetit shqiptar.

Nga sheshi “Skënderbej”, ku janë ngritur fushat spektakolare të turneut, kampionët ndërkombëtarë kanë ndarë emocionet e tyre për eksperiencën në Shqipëri, duke e cilësuar atë të paharrueshme.

“Nuk do ta kisha imagjinuar kurrë në jetën time të vija të luaja në Shqipëri dhe të gjeja kaq shumë njerëz”, u shpreh argjentinasi Franco Stupaczuk, një nga emrat më të njohur të padelit botëror, i cili falënderoi publikun shqiptar për mbështetjen dhe atmosferën e krijuar gjatë ndeshjeve.

Edhe spanjolli Alex Arroyo, që garon në çift me Maxi Arce, vlerësoi entuziazmin e tifozëve shqiptarë.

“Mënyra se si jetohet padeli këtu është vërtet e pabesueshme”, deklaroi ai, duke theksuar se prania e publikut i ka dhënë turneut një dimension të veçantë.

Ndërkohë, Enzo Jensen, një nga surprizat e këtij edicioni së bashku me partnerin David Gala, foli me entuziazëm për përvojën në Shqipëri.

“Kemi zbuluar një vend të pabesueshëm, në kuptimin më pozitiv të fjalës. Faleminderit të gjithëve që po na mbështesin”, tha ai.

Më herët, edhe legjenda e padelit për femra, Ale Salazar, kishte shprehur emocionet e saj pas debutimit në Tiranë.

“Ishte e mrekullueshme të luaje në sheshin “Skënderbej”. Qyteti e ka organizuar turneun në mënyrë perfekte”, deklaroi ajo.

Atmosfera festive që ka pushtuar kryeqytetin shqiptar duket se është bërë një nga elementët më tërheqës të këtij eventi sportiv. Në rrugët dhe sheshet e Tiranës ndihet gjallëri dhe energji pozitive, ndërsa lokalet dhe hapësirat publike mbeten të mbushura me qytetarë dhe turistë që shijojnë eventin.

Entuziazmi për padelin është i dukshëm edhe në tribunat e mbushura të fushës qendrore, ku sportdashës të të gjitha moshave po ndjekin nga afër spektaklin e kampionëve botërorë. Edhe për ata që deri pak kohë më parë nuk kishin dëgjuar për këtë sport, padeli në Tiranë është kthyer në një eksperiencë që tërheq dhe emocionon.

Në këtë atmosferë feste, Tirana po shfaqet si një qytet modern dhe dinamik, ku ndërthuren rrokaqiejt bashkëkohorë me historinë dhe monumentet karakteristike, ndërsa topi i padelit vazhdon të kërcasë gjithnjë e më fort në zemër të qytetit.