SKANDAL TE BRAZILI/ Mediat braziliane: Mjekët e Santos gënjyen për dëmtimin e Neymar Jr

Dëmtimi i Nejmar është bërë një çështje te Brazili. Mjekët e kombëtares konfirmuan se dëmtimi e sulmuesit është më i madh se sa mjekët e Santos e kanë raportuar. Ndërkaq, mediat braziliane e konsiderojnë si skandal, duke ngritur dyshime se mjekët e klubit, kanë gënjyer për lëndimit e Nejmar, që ai të përfshihej në listë.

Kombëtarja e Brazil ka marrë një goditje të fortë vetëm pak ditë para nisjes së Kupës së Botës, pasi sulmuesi kryesor Neymar ka pësuar një dëmtim në pulpën e këmbës së djathtë dhe me shumë gjasa të humbasë ndeshjen hapëse të turneut.

Federata Braziliane e Futbollit bëri të ditur se pas kontrolleve mjekësore dhe rezonancës magnetike, te Neymar është konstatuar një dëmtim i shkallës së dytë në muskul. Sipas mjekëve të kombëtares, lojtari do të ketë nevojë për rreth dy deri në tre javë rikuperim.

Diagnoza ndryshon nga ajo e paraqitur nga Santos para njoftimit të skuadrës. Mjeku i klubit, Rodrigo Zogaib, kishte deklaruar se problemi ishte thjesht ënjtje dhe se Neymar do të ishte i gatshëm për tu stërvitur.

Por rezonanca magnetike nuk tregoi ënjtje, siç është raportuar më parë , por një tendosje të pulpës së këmbës së gradës 2. Një gjë e tillë është konsideruar një skandal nga mediat braziljane, të cilat hedhin dyshime se mjekët e Santos, kanë gënjyer për lëndimit e Nejmar, vetëm që ai të përfshihej  në listë.

Neymar mungoi në seancën e parë stërvitore të Brazilit, duke shtuar shqetësimin te stafi teknik dhe tifozët brazilianë. Trajneri Carlo Ancelotti po pret raportin përfundimtar të stafit mjekësor për të kuptuar nëse ylli brazilian do të jetë gati për ndeshjet e para.

Ky lajm vjen në një moment delikat për Brazilin, pasi Neymar ishte rikthyer me shumë pritshmëri në kombëtare pas një periudhe të gjatë të vështirë me dëmtime.

Vetëm pak ditë më parë ai ishte përfshirë në listën zyrtare të Brazilit për Kupën e Botës 2026 dhe konsiderohej një nga armët kryesore të ekipit për të synuar trofeun e gjashtë botëror.

Mungesa e tij do të ishte një humbje e madhe për Brazilin, jo vetëm për cilësinë në sulm, por edhe për eksperiencën dhe lidershipin që sjell në skuadër. Neymar mbetet golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares braziliane dhe një figurë kyçe në repartin ofensiv.

Nëse rikuperimi ecën sipas planit, Neymar mund të rikthehet gjatë fazës së grupeve. Megjithatë, për momentin prezenca e tij në ndeshjen e parë mbetet shumë e pasigurt. Golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i Brazilit do të humbasë miqësoren e së dielës kundër Panamasë në Maracana dhe ndeshjen pasuese kundër Egjiptit.