GATI ARGJENTINA E KUPËS SË BOTËS/ Messi luan Botërorin e 6-të, lista nuk ka surpriza të mëdha

Lionel Messi do të luajë në Kupën e Botës për herë të  gjashtë në karrierë. Sulmuesi është përfshirë në skuadrën prej 26 lojtarësh të Lionel Skalonit. Lista nuk ka surpriza të mëdha ndërsa jashtë kanë mbetur 9  futbollistë që triumfuan në Botërorin e 2022.

Lionel Scaloni ka zbuluar skuadrën prej 26 lojtarësh të thirrur për Argjentinën për Kupën e Botës.  Të udhëhequr nga Lionel Messi, kampionët e Katarit 2022 synojnë ta ruajnë titullin,  një sukses i paarritur që kur Brazili mbrojti titullin e tyre në vitin 1962.

Edhe pse nuk ka surpriza të mëdha, Scaloni u ka besuar disa lojtarëve që nuk ishin pjesë e skuadrës në Katar, si Valentin Barco, i cili pati një sezon të shkëlqyer.  Hose Manuel Lopez, qendërsulmuesi i Palmeiras që ofron mundësi zëvendësimi për Julian Alvarez dhe Lautaro Martinez, është përfishrë në listë gjithashtu.

Edhe pse në fund të karrierës, Lionel Messi vazhdon të mbetet pika kryesore e Argjentinës. Sulmuesi, i cili do të mbushë 39 vjeç gjatë turneut, do të luajë botërin e 6 në karrierë, një rekord që do ta ndajë sëbashku me rivalin, Kristiano Ronaldo.

Me 26 paraqitje, Messi mban rekordin aktual për më shumë ndeshje të Kupës së Botës.

Emiliano Martinez, portieri i Aston Vilës është përzgjedhur, ashtu si edhe Lisandro Martinez i Manchester United dhe Cristian Romero i Tottenham, i cili humbi fundin e sezonit të Premier League për shkak të një dëmtimi në gju.

Mesfushori i Liverpoolit, Mac Allister, dhe mesfushori i Chelsit, Enzo Fernandez, janë gjithashtu në skuadër për botërorin. Julian Alvarez i Atletico Madridit dhe Lautaro Martinez i Interit janë midis 17 lojtarëve që e ngritën trofeun në vitin 2022.

Mungesë e madhe është sulmuesi i Aston Vilës, Emi Buendia, goli i të cilit në finalen e Europa League u shpall goli i turneut. Gjithashtu mungon edhe Paolo Dybala, sezoni i të cilit te Roma është ndërprerë nga një dëmtim.

Mes emrave që mungojnë është edhe ai i Franco Mastantuono. Talentit të Realit  nuk i është dhënë vend në këtë grumbullim. Scaloni duket se ka zgjedhur të mbështetet te bërthama që i dha Argjentinës sukseset e viteve të fundit, duke ruajtur ekuilibrin mes eksperiencës dhe elementëve të rinj.

Nëntë lojtarë që ishin kampionë katër vjet më parë nuk janë përfshirë në skuadër, teksa spikasin emra si Akunja, Di Maria, Gomez, Rodriguez, Dybala, Korrea e disa të tjerë. Argjentina do të garojë në Grupin J së bashku me Algjerinë, Austrinë dhe Jordaninë.