Nga “samba” e dështuar braziliane te “ashensori” italian, Sulçe: Ja e vërteta e fshehtë pas trajnerit të ri të kombëtares

Shqipëria ka mbyllur përfundimisht kapitullin me "sambën" braziliane të Sylvinhos për t'u rikthyer te tradita e njohur e shkollës italiane të futbollit. Pas largimit të brazilianit, i cili pavarësisht premtimeve u kritikua shpesh për skemat mbrojtëse dhe mungesën e agresivitetit në sulm, stoli kuqezi i është besuar 62-vjeçarit Rolando Maran.

Një analizë e thellë e situatës e bërë në studion e lajmeve në "Ora News", nga gazetari i sportit, Altin Sulçe, i cili zbulon një kontrast të madh mes dy teknikëve. Sylvinho mbërriti në Shqipëri duke u mbështetur te një emër i madh, i ndërtuar si lojtar në klube gjigante si Barcelona, Arsenal apo Manchester City.

Megjithatë, Sulce tha se si trajner ai ishte i paprovuar në sukses, i shkarkuar shpejt nga klubi francez Lyon dhe pa arritje konkrete në Brazil. Përveç kësaj, natyra e tij tepër e rezervuar dhe e distancuar krijoi një hendek me publikun shqiptar, në kundërshtim të plotë me epokën e artë të bashkimit dhe afërsisë popullore që solli Gianni De Biasi.

Nga ana tjetër, vijoi gazetari,trajneri i ri Rolando Maran vjen pa shkëlqimin e një ylli ndërkombëtar, por me një profil krejtësisht ndryshe. I përshkruar në pamje të parë si një figurë e qetë dhe "babaxhan", mediat italiane e cilësojnë atë si një ish-mbrojtës dhe trajner tepër të egër në fushën e lojës. Gjatë karrierës së tij, Maran ka funksionuar si një "ashensor" mes Serisë A dhe Serisë B në Itali, duke drejtuar me sukses skuadra të mesme si Chievo apo Catania.

Megjithatë, dilema e madhe që lind në opinionin sportiv është nëse Federata Shqiptare e Futbollit mund të siguronte një trajner të një kalibri më të lartë evropian. Përgjigjja e Altin Sulces duket se lidhet drejtpërdrejt me buxhetin e kufizuar dhe pamundësinë e kombëtares për të përballuar shpenzime marramendëse për një emër të madh.

Në këto kushte, zgjedhja e 62-vjeçarit Maran nuk vjen si një surprizë, por si një kompromis llogjik dhe në një moshë që konsiderohet ideale për të marrë drejtimin e një ekipi kombëtar.

Për më shumë ndiqni intervistën e plotë me gazetarin Altin Sulçe