Kërnaja: Qirko dhe Hadroj surpriza në listën e Maran, kampionati shqiptar po i jep lojtarë kombëtares
Lista e re e publikuar nga trajneri Maran për ndeshjet e ardhshme miqësore të ekipit përfaqësues ka sjellë reagime të shumta dhe surpriza në opinionin sportiv.
Përzgjedhja e fundit karakterizohet nga afrimi i lojtarëve të rinj me potencial, si dhe mungesa e disa prej emrave veteranë, duke ngritur pikëpyetje mbi strategjinë e re teknike.
Një nga risitë më të komentuara është ftesa për portierin Qirko, e cila vjen pas një sezoni të shkëlqyer në nivel klubesh.
Ky afrim dëshmon sërish se kampionati shqiptar mbetet një trampolinë reale për në kombëtare, duke ndjekur gjurmët e suksesshme të emrave si Sherri. Klube si Partizani vazhdojnë të mbeten furnizues të rëndësishëm të ekipit kombëtar me lojtarë cilësorë.
Në një intervistë për “Ora News” trajneri i futbollit,Oltion Kërnaja foli për listën e kombëtares së Shqipërisë, me fokus te ftesa e portierit Qirko dhe përzgjedhjet e trajnerit Maran, duke i parë si vendime që hapin mundësi për lojtarët nga kampionati vendas.
"Të them të drejtën, ndoshta për shumë nuk e prisja. Për disa edhe mund ta prisja, si rasti i Qirkos i cili ka bërë një sezon jashtëzakonisht shumë të mirë. Duke parë që nuk është shumë e vështirë të shkosh në një portier duke treguar edhe Sherri që nga kampionati shqiptar vajti në kombëtare. Dhe ai Sinani... Po ashtu erdhi radha e Qirkos që ka bërë një sezon jashtëzakonisht shumë të mirë. Jam shumë i kënaqur personalisht
Për faktin që në fund arritëm t'i jepnim një lojtar kombëtares.
Jam i surprizuar të them të drejtën për Hadrojn. Nuk e prisja, të them të drejtën nuk e prisja Hadrojn, prisja vërtet mund të kemi probleme në krahun e djathtë të mbrojtjes, prisja më shumë Trumçin nga Shkëndija duke qenë se ka qenë aktiv gjatë gjithë kohës.
Por më vjen mirë edhe për Hadrojn sepse është një lojtar që pritet shumë në të ardhmen.
Ka bërë një lëvizje në Ukrainë që nuk qëlloi e duhura momentalisht, shpresojmë që mbas këtyre ndeshjeve të kombëtares të ketë një lëvizje tjetër.
Pse jo dhe në kampionatin shqiptar, pse jo dhe Partizani ose Dinamo siç e kërkuan në janar, që të zbulojmë një gjë të re që e kërkuan të dyja në janar po nuk lëvizi dot. Kështu që besoj është një zgjedhje më shumë për t'u adaptuar me punën e trajnerit të ri, sesa mënyra e lojës. Për t'u adaptuar se si do punojë Maran, çfarë do kërkojë. Sepse shohim ka shumë mungesa lojtarësh kryesorë që mungojnë, për shkak dëmtimesh, për shkak të impenjimeve, plus sezoni shumë i gjatë, janë mungesa të pranueshme. Dy miqësore janë, nuk janë ndeshje zyrtare, kështu që besoj se është koha që të shohim se si do punojë Maran, mënyrën e tij të punës, sepse secili trajner ka mënyrën e vet të punës dhe të shohim, është për t'u parë", shtoi ai.
Ndiqni intervistën e plotë:
