Maran me listën e parë si trajner i Kombëtares/ Miqësoret me Izraelin dhe Luksemburgun, ja cilët nga lojtarët do mungojnë në fushë...

Trajneri i ri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, ka dalë për herë të parë në konferencë për shtyp pas publikimit të listës me lojtarët e grumbulluar për dy ndeshjet miqësore ndaj Izraelit dhe Luksemburgut.

Ai ka thënë se në total janë ftuar 27 futbollistë dhe se dëshira e tij do të kishte qenë një listë edhe më e gjerë, për të parë më shumë lojtarë në këtë fazë të parë të punës me ekipin.

Maran ka bërë me dije se disa lojtarë mungojnë për shkak dëmtimesh, mes tyre Strakosha, Dajsinani, Manaj, Muçi dhe Gripshi, ndërsa ka theksuar se ka qenë në kontakt me disa prej tyre për gjendjen e tyre fizike.

Ai është ndalur edhe te rëndësia e ndeshjeve miqësore, duke i cilësuar si të rëndësishme për ndërtimin e ekipit dhe për të kuptuar më mirë formën e lojtarëve në këtë periudhë.

Në lidhje me repartin ofensiv, Maran është shprehur se beson se puna në stërvitje mund të ndihmojë sulmuesit për të qenë më efektivë, përfshirë edhe Armando Brojën.

Sa i përket Ivan Balliut, trajneri ka thënë se mbrojtësi ka kohë për të vendosur nëse do të jetë pjesë e Kombëtares, duke vlerësuar kontributin e tij të mëparshëm.

Shqipëria do të luajë ndaj Izraelit më 3 qershor dhe Luksemburgut më 6 qershor në “Air Albania”.

FJALA E TRAJNERIT:

Do kisha dashur që lista të ishte pak më e gjatë, sepse kam dëshirë që të shoh të gjithë lojtarët. Janë dy ndeshje që do jenë fondamentale për ekipin. I jam referuar dhe listës së madhe. Kam punuar që të kuptoj më mirë gjendjen e lojtarëve. Lojtarë të dëmtuar janë Strakosha, me të cilin kam folur në telefon. Gjithashtu të dëmtuar janë Dajsinani, Manaj, Muçi, Gripshi. Duhet të marrim maksimumin nga këta lojtarë, sepse janë ndeshje shumë të rëndësishme.

Jam i lumtur për atë që ka thënë Edgar Çani. Gjatë punës time ka rastisur që lojtarët të shënojnë një rekord golash përgjatë sezonit. Kur arrin të shënosh, rezultatet kanë më të favorshme. Kjo gjë mund të ndihmojë Armando Brojën, por edhe lojtarët e tjerë. Jam i bindur që me punën që do të bëjmë në fushë do të ndihmojmë sulmuesin, por edhe ekipin të arrijnë rezultate.

Kam folur me Ivan Balliun. Nuk e di ende nëse do të luante me Kombëtaren. Do të marrë kohën e tij. Ka bërë shumë mirë për Kombëtaren dhe ka të drejtën e tij të marrë kohën e duhur”, tha ndër të tjera Maran.