SONTE FINALJA E CONFERENCE LEAGUE! Crystal Palace dhe Rayo Vallecano luajnë sonte finalen e Conference League
Në Leipzig gjithçka është gati për finalen historike të Konferencë Ligë mes Kristal Palasë dhe Rayo Vajekano. Për të dy skuadrat kjo është finalja e parë europiane në histori dhe synimi është trofeu i parë kontinental. Pak orë para sfidës, kishte tensione dhe përleshje mes tifozëve në qendër të qytetit sollën ndërhyrjen e policisë gjermane.
Mbrëmja e kësaj të mërkure sjell një tjetër finale në Conference League. Në Red Bull Arena të Leipzigut, Kristal Palasë dhe Rayo Vajekano do të zbresin në fushë për trofeun e tretë më të rëndësishëm për klube ne Europë.
Për të dy klubet kjo është finalja e parë europiane në histori, çka e bën sfidën edhe më të veçantë. Të dyja skuadrat janë vetëm 90 minuta larg trofeut të parë ndërkombëtar.
Rayo Vajekano mbërrin në këtë finale në një moment shumë pozitiv. Skuadra madrilene numëron nëntë ndeshje radhazi pa humbje në të gjitha kompeticionet, me gjashtë fitore dhe tre barazime.
Spanjollët siguruan biletën për në finale pas dy fitoreve ndaj Strasbourg në gjysmëfinale dhe tani synojnë të shkruajnë historinë duke fituar për herë të parë Conference League. Në krahun tjetër, Kristal Palasë ka qenë një nga surprizat më të bukura të këtij sezoni europian.
Klubi londinez ka bërë një debutim të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare, duke arritur deri në finale dhe duke regjistruar tetë fitore në këtë edicion. një rekord për një skuadër debutuese në kompeticion. Megjithatë, anglezët vijnë pas një periudhe jo shumë të qëndrueshme në kampionat, ku kanë katër ndeshje pa fitore.
Finalja merr edhe më shumë peshë sepse do të jetë ndeshja e fundit e trajnerit Oliver Glasner në pankinën e Kristal Palasë.
Edhe statistikat premtojnë spektakël. Ndeshjet e Kristal Palasë këtë sezon kanë prodhuar shpesh shumë gola dhe ritëm të lartë, ndërsa Rayo Vajekano është dalluar për organizimin dhe stabilitetin në mbrojtje.
Në Leipzig pritet një finale e hapur dhe e luftuar deri në fund, me dy skuadra që kërkojnë të shkruajnë kapitullin më të rëndësishëm në historinë e tyre europiane.
Pak orë para finales, tensioni është zhvendosur edhe jashtë stadiumit. Në qendër të Leipzig janë regjistruar përleshje mes tifozëve të dy skuadrave.
Grupe tifozësh u përfshinë në përplasje, ndërsa situata u tensionua brenda pak minutash. Forcat e rendit ndërhynë menjëherë për të shpërndarë turmën dhe për të shmangur përshkallëzimin e dhunës. Tifozët hodhën shishe qelqi dhe karrige ndaj njëri tjetrit, ndërsa atmosfera në qendër të qytetit u bë kaotike në prag të finales.

