Kryediplomati pakistanez vizitë në SHBA, përpjekje për t’i dhënë fund l*ftës me Iranin

Ministri i Punëve të Jashtme i Pakistanit, Ishaq Dar, do të zhvillojë një vizitë zyrtare njëditore në Washington, mes përpjekjeve të Islamabadit për të ndërmjetësuar fundin e luftës me Iranin, thuhet në një deklaratë zyrtare.

Ministria e Punëve të Jashtme e Pakistanit njoftoi se Dar, i cili aktualisht ndodhet në New York ku mori pjesë në procedurat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe takime të tjera, do të niset për në Washington nesër për t’u takuar me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

Gjatë takimit të tyre, të dyja palët do të shqyrtojnë marrëdhëniet dypalëshe dhe do të shkëmbejnë pikëpamje mbi zhvillimet rajonale dhe globale me “interes të ndërsjellë”.

Diskutimet do të fokusohen gjithashtu në forcimin e bashkëpunimit në sektorët prioritarë kyç dhe në përpjekjet e Pakistanit për të promovuar paqen dhe stabilitetin rajonal përmes “dialogut dhe diplomacisë”.

“Vizita pasqyron angazhimin e Pakistanit për të thelluar më tej partneritetin e tij afatgjatë dhe të gjerë me SHBA-në”, theksoi ministria pakistaneze.

Duke shoqëruar kryeministrin Shehbaz Sharif, ministri Daq u takua me presidentin kinez, Xi Jinping, në Pekin para se të udhëtonte për në New York.

Tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme kundër Iranit në shkurt.

Teherani u kundërpërgjigj me sulme që synonin Izraelin si dhe aleatët amerikanë në Gjirin Persik, së bashku me mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.

Një armëpushim hyri në fuqi më 8 prill përmes ndërmjetësimit pakistanez, por bisedimet pasuese në Islamabad nuk arritën të prodhojnë një marrëveshje të qëndrueshme. Më vonë, Trump e zgjati armëpushimin për një periudhë të pacaktuar.

Që atëherë, të dyja palët kanë vazhduar të shkëmbejnë propozime dhe kundërpropozime në përpjekje për të rifilluar bisedimet e drejtpërdrejta dhe për t’i dhënë fund konfliktit.