Alarm në Detin e Zi/ Sulme misterioze me dronë godasin tre cisterna pranë brigjeve të Turqisë
Tre anije cisternë janë goditur nga sulme me dronë në Detin e Zi, pranë brigjeve veriore të Turqisë, duke rikthyer shqetësimet për sigurinë detare në rajon. Incidenti ndodhi në një zonë ku tensionet janë rritur ndjeshëm që pas nisjes së luftës në Ukrainë.
Sipas kompanisë së transportit detar Tribeca, cisterna “James II”, me flamur të Palau, ndodhej rreth 80 kilometra në veri të rajonit Turkeli kur u raportua sulmi.
Dy anije të tjera, “Altura” dhe “Velora”, me flamur të Sierra Leone-s, dyshohet se janë goditur në të njëjtën zonë gjatë një operacioni transferimi karburanti nga një anije në tjetrën.
Menjëherë pas alarmit, në vendngjarje u dërguan anije të Rojës Bregdetare dhe autoritetet detare turke për të ndihmuar ekuipazhet dhe për të kontrolluar situatën.
Deri tani nuk raportohet për viktima apo të lënduar, ndërsa të gjithë anëtarët e ekuipazhit janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Ngjarja ka shtuar frikën për përshkallëzim të incidenteve në Detin e Zi, ku gjatë viteve të fundit janë regjistruar sulme ndaj anijeve tregtare dhe infrastrukturës detare.
Asnjë grup apo shtet nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmet me dronë, ndërsa autoritetet turke nuk kanë dalë ende me një reagim zyrtar. Hetimet për zbardhjen e plotë të incidentit vijojnë.

