Serjani dhe Muedini shkruajnë histori në FIP Platinum Albania, kualifikohen në 1/8-at e finales

Shqiptarët Alensio Serjani dhe Martin Muedini arritën një sukses historik në turneun ndërkombëtar të padelit “FIP Platinum Albania”, që po zhvillohet në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, duke u kualifikuar për në fazën e 1/8-ave të finales.

Dy sportistët shqiptarë, pjesëmarrës në turne me “wild card”, mposhtën me rezultatin 6-4, 6-4 çiftin e përbërë nga spanjolli Inigo Jofre, numri 29 në renditjen botërore dhe Lok Hei Jamie Yau nga Hong-Kongu.

Me këtë fitore, Serjani dhe Muedini sigurojnë përballjen në raundin tjetër me spanjollët Alex Ruiz dhe Juanlu Esbri, të renditur si kokat e serisë numër 7 të turneut.

Ndeshja e zhvilluar në fushën qendrore të ngritur në zemër të Tiranës konsiderohet një moment historik për padelin shqiptar, sport që po njeh rritje të shpejtë në vend.

Pas ndeshjes, Alensio Serjani e cilësoi suksesin si një emocion të jashtëzakonshëm.

Serjani dhe Muedini shkruajnë histori në FIP Platinum Albania,

“Kam qenë shumë herë në sheshin “Skënderbej”, por nuk do ta kisha imagjinuar kurrë të luaja këtu në një turne ndërkombëtar FIP. Është një emocion i pabesueshëm”, u shpreh Serjani, i cili jeton dhe punon në Itali si trajner i Federatës Italiane të Tenisit dhe Padelit.

Ndërsa Martin Muedini ia dedikoi fitoren familjes së tij dhe vajzës së porsalindur.

“Kjo është ajo që duam të bëjmë për vendin tonë. Padeli në Shqipëri po zhvillohet shumë shpejt dhe federata po bën një punë të mirë për promovimin e këtij sporti”, deklaroi ai.

Turneu “FIP Platinum Albania” ka sjellë në Tiranë emra të njohur të padelit ndërkombëtar dhe ka tërhequr interes të madh nga publiku shqiptar.