Probleme të qarkullimit të gjakut në këmbë/ Mjekët shpjegojnë shkaqet e pamjaftueshmërisë venoze

 Probleme të qarkullimit të gjakut në këmbë/ Mjekët

Pamjaftueshmëria venoze është një problem i zakonshëm i qarkullimit të gjakut në këmbë, që ndodh kur valvulat e venave nuk funksionojnë siç duhet.

Si pasojë, gjaku nuk qarkullon normalisht dhe mund të shfaqen vena të zgjeruara, të përdredhura, të njohura si venat me variçe.

Me kalimin e kohës, gjendja mund të shoqërohet me simptoma si rëndesë në këmbë, ënjtje, djegie dhe në raste më të rënda edhe me plagë në lëkurë apo trombozë.

Mjekët shpjegojnë se një nga metodat më moderne për trajtimin e kësaj gjendjeje është trajtimi me lazer. Kjo teknikë është minimalisht invazive, bëhet me anestezi lokale dhe udhëhiqet me ultratinguj për saktësi më të madhe.

Procedura zakonisht zgjat rreth 30 deri në 40 minuta dhe pacienti mund të ngrihet menjëherë pas ndërhyrjes. Në shumicën e rasteve, kthimi në shtëpi bëhet po atë ditë dhe aktivitetet e përditshme rifillohen brenda pak ditësh, me kujdes për të shmangur sforcimet fizike.

Sipas specialistëve, avantazhi i kësaj metode është se nuk kërkon prerje apo qepje, dhimbja është minimale dhe rikuperimi i shpejtë. Megjithatë, venat me variçe mund të rishfaqen me kalimin e kohës, sidomos te personat me predispozitë familjare apo stil jetese të ulur.

Trajtimi varet nga gjendja e pacientit dhe zakonisht vendoset pas ekzaminimit me ultratinguj, për të përcaktuar saktë venat e prekura dhe mënyrën më të përshtatshme të ndërhyrjes.