Studimi i ri "rrëzon" dyshimet për lidhjen mes antidepresivëve dhe autizmit...

Analiza e më shumë se 25 milionë shtatzënive tregon se shumica e antidepresivëve modernë nuk lidhen drejtpërdrejt me autizmin dhe ADHD-në te fëmijët, ndërsa ekspertët paralajmërojnë për rreziqet serioze të depresionit të patrajtuar gjatë shtatzënisë.

Antidepresivët përgjithësisht konsiderohen të sigurt dhe efektivë në trajtimin e depresionit, ankthit dhe çrregullimeve të tjera mendore.

Megjithatë, vitet e fundit është rritur shqetësimi lidhur me ndikimin e mundshëm të këtyre barnave në zhvillimin e fetusit, sidomos për sa i përket çrregullimeve neurologjike dhe zhvillimore te fëmijët.

Një analizë e re dhe shumë e gjerë shkencore sjell deri më tani dëshmitë më të besueshme mbi lidhjen ndërmjet përdorimit të antidepresivëve nga të dy prindërit, para dhe gjatë shtatzënisë, dhe shfaqjes së autizmit apo çrregullimit të deficitit të vëmendjes me hiperaktivitet (ADHD) te fëmijët.

Rezultatet tregojnë se, për shumicën e antidepresivëve, ekziston lidhje shumë e vogël ose aspak lidhje me këto çrregullime kur merren parasysh faktorë të tjerë të rëndësishëm.

Studimi, i publikuar në revistën shkencore “The Lancet Psychiatry”, përfshiu analizën e 37 hulumtimeve të mëhershme me mbi 600 mijë shtatzëna që kishin përdorur antidepresivë dhe pothuajse 25 milionë shtatzëni pa përdorim të tyre.