Shkencëtarët zbulojnë një përbërës te xhenxhefili dhe shafrani , që lufton bakteret rezistente
Një përbërës i gjetur në xhenxhefil dhe shafran mund të ndihmojë në neutralizimin e baktereve rezistente ndaj antibiotikëve, sipas “Science”.
Studiuesit analizuan afro 4000 përbërës bioaktivë për të gjetur substanca, që mund të pengojnë bakterin “Staphylococcus aureus” të ngjitet në indet njerëzore.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse MRSA — një formë e stafilokokut rezistente ndaj antibiotikëve — është ndër shkaktarët kryesorë të infeksioneve serioze.
Një përbërës spikati mbi të tjerët: acidi geranylgeranoik (GGA), një acid yndyror natyral që gjendet në bimë si xhenxhefili dhe shafrani i Indisë.
Në vend që të vrasë bakterin siç bëjnë antibiotikët tradicionalë, GGA e bën më të vështirë për stafilokokun të lidhet me proteinat njerëzore dhe ndërhyn në sistemin e tij të komunikimit qelizor, duke reduktuar aftësinë për të shkaktuar infeksion dhe për t’u përhapur.
Në eksperimentet me minj, GGA ndihmoi në parandalimin e dëmtimeve të lëkurës të lidhura me stafilokokun dhe uli ashpërsinë e infeksioneve ekzistuese.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se konsumimi i xhenxhefilit apo shafranit të Indisë mund të trajtojë MRSA-në.
Studiuesit theksojnë se zbulimi hap rrugën për një strategji të re “anti-ngjitëse”, e cila në të ardhmen mund të përdoret së bashku me antibiotikët për të luftuar bakteret rezistente.
MRSA (Stafilokoku aureus rezistent ndaj meticilinës) konsiderohet një nga bakteret më të rrezikshme rezistente ndaj antibiotikëve, pasi shumë trajtime standarde nuk funksionojnë kundër tij.
Ai mund të shkaktojë infeksione të lëkurës, pneumoni, infeksione të gjakut dhe komplikacione të rënda pas operacioneve.
Qasja e re nuk synon ta vrasë bakterin, por ta “çarmatosë” atë.
Shkencëtarët besojnë se kjo metodë mund të ulë rrezikun që bakteret të zhvillojnë rezistencë të re, problem që haset shpesh me antibiotikët klasikë.
Xhenxhefili dhe shafrani i Indisë prej kohësh janë studiuar për vetitë e tyre anti-inflamatore dhe antioksiduese.
Përbërësi aktiv më i njohur i shafranit të Indisë është kurkumina, e cila gjithashtu është hetuar për efekte antibakteriale dhe mbështetje të sistemit imunitar.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka shpallur rezistencën ndaj antibiotikëve, si një nga kërcënimet më të mëdha globale për shëndetin publik.
Sipas ekspertëve, zhvillimi i terapive alternative si kjo mund të jetë kyç në dekadat e ardhshme.
Studiuesit paralajmërojnë se nevojiten ende prova klinike tek njerëzit përpara se GGA, të mund të përdoret si trajtim mjekësor.

