Studimi i ri për antibiotikët dhe mikrobiomën – ndikimeT afatgjata dhe debate mbi probiotikët...

Nuk ka prova të forta shkencore që suplementet me probiotikë ndihmojnë gjatë përdorimit të antibiotikëve, madje ekzistojnë edhe dëshmi që tregojnë se ato mund të ngadalësojnë rikuperimin e organizmit.

Shumë njerëz përjetojnë efekte anësore gastrointestinale gjatë përdorimit të antibiotikëve, si të përziera, dhimbje barku apo diarre.

Kjo ndodh sepse antibiotikët, megjithëse luftojnë bakteret që shkaktojnë sëmundje, mund të shkatërrojnë edhe mikroorganizmat e shëndetshëm në trup, të cilët ndihmojnë në tretjen e fibrave dhe forcimin e sistemit imunitar.

Përveç luftimit të infeksioneve, disa antibiotikë aktivizojnë receptorë në zorrë. Për shembull, azitromicina, antibiotiku i njohur në “Z-Pak” lidhet me receptorët motilinë në traktin tretës, gjë që mund të shkaktojë kontraksione dhe ngërçe të pakëndshme abdominale. Prandaj, disa ditë shqetësime me stomakun janë një efekt anësor i zakonshëm i shumë antibiotikëve.

Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se mikrobioma juaj, triliona baktere dhe materiali i tyre gjenetik që jetojnë në zorrë është dëmtuar përgjithmonë, edhe pse kjo është një frikë e zakonshme.

Situata bëhet edhe më e ndërlikuar sepse nga 1 në 10 deri në 1 në 4 persona që kalojnë një infeksion akut, si një infeksion bakterial i stomakut, mund të zhvillojnë më vonë simptoma afatgjata gastrointestinale si sindroma e zorrës së irrituar, të cilat nuk lidhen domosdoshmërisht me antibiotikët.

Përdorimi i antibiotikëve vazhdon të jetë një nga mënyrat më efektive për të luftuar infeksionet bakteriale, por një studim i fundit nga Universiteti i Upsalas ka nxjerrë në pah një anë më pak të njohur dhe shqetësuese të tyre.

Sipas hulumtimit, antibiotikët nuk ndikojnë vetëm bakteret e dëmshme, por edhe ekuilibrin natyral të mikroorganizmave në zorrë, të njohur si mikrobioma intestinale.

Kjo mikrobiomë luan një rol kyç në tretje dhe në funksionimin e sistemit imunitar. Ajo që ka habitur studiuesit është fakti se efektet e antibiotikëve mund të zgjasin shumë më gjatë sesa mendohej më parë.

Në disa raste, ndryshimet në mikrobiomë mund të vazhdojnë nga 4 deri në 8 vite, edhe pas një kure të vetme.

Studimi analizoi të dhënat e rreth 15 mijë personave dhe tregoi se ndikimi ndryshon në varësi të llojit të antibiotikut.