Edukimi emocional i fëmijëve, Dema: Ja çelësi për një adoleshencë më të shëndetshme

Edukimi emocional i fëmijëve është një nga sfidat më të mëdha të prindërimit modern, por duket se një pjesë e mirë e shoqërisë po dështon pikërisht aty ku nuk pritej. Fshehja e realitetit dhe mbajtja e të vegjëlve larg koncepteve të vështira të jetës po prodhon një brez adoleshentësh problematikë dhe të papërpunuar emocionalisht.

E ftuar në studion e lajmeve në "Ora News", ishte lektorja Alma Dema, e cila u shpreh se edukimi emocional nuk duhet shtyrë për më vonë, por duhet të nisë që në moshën parashkollore.

Është pikërisht ky momenti kur fëmija del nga guaska e sigurt e familjes dhe përballet me botën e jashtme apo me rregullat e kopshtit. Në këtë fazë delikate, të vegjlit duhet të njihen me ndjenjat negative, si mërzia, shkëputja nga familjarët apo edhe humbja. Një lodër e thyer, e cila nuk mund të rregullohet më, nuk duhet parë si një dështim, por si një mundësi e artë për të mësuar përballimin e situatave dhe kthimin e tyre në forcë.

" Në të vërtetë edukimi emocional duhet të fillojë, duhet të fillojë në moshën parashkollore. Që në hapat e para të socializimit të fëmijës, kur fëmija del nga paradigma familjare dhe ndeshet me paradigmën shkollore.

Apo fillon socializimin e parë, hapat e parë të socializimit. Është shumë e rëndësishme që në fëmijëri t'i flasim me terma të vogla, për mërzinë, për shkëputjen nga gjyshi, nga mami, për shkëputjen nga motra që e kujdesen në shtëpi, për mënyrën se si duhet të bashkëpunojë dhe duhet të bashkëveprojë në grup me shokët.

Më pas për humbjen, prishet një lodër, ajo nuk rregullohet më, ne duhet të fillojmë t'i japim fëmijëve mundësi ta proçesojnë këtë lloj humbje, të mos e kthejnë në dështim, por ta kthejnë në forcë, bashkëpunim dhe që më pas të ecin përpara. Pra, është e domosdoshme që të nisim me moshën parashkollore, sidomos me literaturën e cila është e mbushur me ilustrime të bukura. Sepse në këtë moshë fëmijët perceptojnë nëpërmjet ilustrimeve, nëpërmjet kartonave, pra filmave me kartona apo nëpërmjet librave të cilët e pasqyrojnë elementin që duan ta pasqyrojnë nëpërmjet ilustrimeve. Më pas, ky proçes duhet të nisë me librat e mirë të cilët kanë në qendër edukimin emocional.

Janë një varg librash të mirë që fatmirësisht janë përkthyer nga shtëpi botuese prestigjoze në Shqipëri dhe janë, janë ofruar në treg që fëmijët t'i ndihmojnë të proçesojnë ato terma që më pas do të kthehen në vlerat e tyre të mbështetjes emocionale.

Nëse më lejoni, unë do të doja të shtoja që ne në përgjithësi edhe si kulturë, por edhe si kurrikulë parauniversitare përpiqemi t'i mbajmë fëmijët larg koncepteve të vështira të jetës. Me mendimin 'hë të jetojë fëmijërinë, hë se fëmijë është' dhe më pas vjen një adoleshent dhe është një adoleshent i vështirë dhe i papërpunuar. Nëse ne do të krijojmë mundësi hyrjen në botën e tij shpirtërore dhe mendore që në një moshë të vogël, me libra të mirë të edukimit emocional, me qasjen karshi leximit, karshi diskutimit, karshi proçesimit, përpunimit dhe diskutimit në grupe të vogla, ne do të kemi adoleshentë që do ta shijojnë më shumë moshën e tyre", u shpreh Dema.

Ndiqni intervistën e plotë: