IShP: "Vaksinimi i kundër HPV-së parandalon sëmundje serioze, në program edhe djemtë"

Vaksinimi kundër virusit të papilomës humane (HPV) nuk është më vetëm masë parandaluese për vajzat, por një strategji shëndetësore që përfshin edhe djemtë, me synim reduktimin e infeksioneve dhe kancereve të lidhura me këtë virus në të gjithë popullatën.

Në një intervistë për ATSH, Rovena Daja, drejtuese e programit të vaksinimit pranë Institutit të Shëndetit Publik (IShP) bën të ditur se HPV është infeksioni viral më i zakonshëm i traktit riprodhues, që prek si femrat ashtu edhe meshkujt. Nga mbi 100 tipet e njohura të virusit, rreth 40 prekin traktin gjenital, ndërsa disa prej tyre, veçanërisht HPV 16 dhe HPV 18, lidhen me zhvillimin e lezioneve prekanceroze dhe kancerit.

“Përfshirja e djemve në programet e vaksinimit është një masë thelbësore e shëndetit publik. Vaksinimi i meshkujve jo vetëm mbron drejtpërdrejt shëndetin e tyre nga sëmundje serioze si kanceri anal, kanceri i penisit dhe ai orofaringeal, por kontribuon edhe në uljen e transmetimit të virusit në komunitet”, tha Daja.

“Nuk bëhet fjalë për një virus që prek vetëm vajzat apo gratë, por për një infeksion që transmetohet mes të dy gjinive dhe që mund të shkaktojë pasoja serioze edhe te meshkujt”, vijoi ajo.

Shqipëria e përfshiu vaksinën kundër HPV-së në Kalendarin Kombëtar të Vaksinimit më 1 nëntor 2022 për vajzat 13-vjeçare, ndërsa nga 1 janari 2026 programi u zgjerua edhe për djemtë e kësaj moshe, duke kaluar në një strategji vaksinimi neutrale ndaj gjinisë.

Në kuadër të rritjes së mbulesës vaksinale, që prej vitit 2024 po zbatohet edhe programi “catch-up” për vajzat dhe djemtë 14–20 vjeç që nuk janë vaksinuar më herët.

Daja tha se “të dhënat tregojnë një rritje progresive të mbulesës vaksinale tek vajzat ndër vite. Nga 18.3% në vitin 2022, në 41.2% në 2023 dhe 51.2% në 2024. Gjatë periudhës 1 janar – 18 maj 2026, janë vaksinuar 1,913 vajza 13-vjeçare dhe 1,656 djem 13-vjeçarë. Ndërkohë, në programin “catch-up” janë përfshirë 2,039 vajza dhe 781 djem të grupmoshës 14–20 vjeç”.

Daja pohoi se një nga arsyet kryesore të hezitimit të disa prindërve për vaksinimin e djemve lidhet me perceptimin e gabuar se HPV është vetëm një problem i femrave, si dhe me shqetësimet mbi sigurinë e vaksinës.

Daja nënvizoi se vaksina kundër HPV-së është e sigurt, efektive dhe e monitoruar vazhdimisht nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Agjencia Evropiane e Barnave dhe autoritete të tjera ndërkombëtare, ndërsa deri më sot janë administruar qindra miliona doza në mbarë botën.

Për të adresuar keqinformimin dhe mungesën e informacionit, IShP, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe partnerë të tjerë, janë zhvilluar fushata informuese në media, rrjete sociale, shkolla dhe qendra shëndetësore, duke synuar rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e vaksinimit të të dy gjinive.

Mesazhi për prindërit, sipas ekspertes së shëndetit publik, mbetet i qartë: “Vaksinimi kundër HPV-së është një investim afatgjatë për mbrojtjen e fëmijëve nga kanceret dhe sëmundjet serioze në të ardhmen”.