Shqipëria në rrugën drejt integrimit financiar europian/ Sejko: SEPA dhe sistemet e pagesave të shpejta sjellin afrim me BE
Anëtarësimi i Shqipërisë në Europë përfshin edhe Bankën e Shqipërisë, me një axhendë të ngjeshur reformash rregullatore, legjislative dhe institucionale, ndërsa Guvernatori Gent Sejko zbuloi sektorin ku vendi ynë tashmë mund të konsiderohet anëtar i Bashkimit Europian.
Kreu i Bankës Qendrore theksoi përfitimet që qytetarët dhe bizneset shqiptare kanë nga anëtarësimi në SEPA, ndërsa paralajmëroi se një tjetër sistem pagesash të shpejta po afron.
Guvernatori Sejko i bëri këto deklarime pas një takimi me kreun e Bankës Qendrore të Austrisë, Martin Kocher, me të cilin diskutoi zhvillimet ekonomike dhe financiare, bashkëpunimin rajonal dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Sejko u ndal edhe te zhvillimet ekonomike në vend, duke theksuar se ekonomia shqiptare ka vijuar të shfaqë qëndrueshmëri dhe performancë pozitive, pavarësisht sfidave të mjedisit ndërkombëtar.
Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Guvernatori Kocher zhvilloi gjithashtu një takim me Kryeministrin Edi Rama, me të cilin diskutoi marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve, perspektivat e bashkëpunimit financiar dhe mbështetjen e Austrisë për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

