''Shpërthen'' turizmi në Shqiperi nga Europa dhe Azia/ 2.6 milionë turistë në 4 muaj

Në prag të sezonit turistik, Shqipëria po hyn në verën e 2026-ës me shifra që konfirmojnë një rritje të ndjeshme të lëvizjes së shtetasve të huaj në territorin e saj.

Vetëm gjatë muajit prill, në vend hynë mbi 1.6 milionë shtetas shqiptarë dhe të huaj, duke shënuar një rritje prej 8.8% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Rritja më e dukshme vërehet te turistët e huaj. Sipas të dhënave të INSTAT, në prill hynë 891 mijë shtetas të huaj, rreth 72 mijë më shumë se një vit më parë.

Sa i përket gjeografisë së vizitorëve, Evropa Jugore mbetet tregu kryesor i turizmit drejt Shqipërisë, duke përbërë 74% të hyrjeve evropiane. Vetëm nga kjo zonë kanë hyrë mbi 621 mijë vizitorë në një muaj. Ndërkohë, rritjen më të fortë e kanë shënuar turistët nga Azia e Jugut, të cilët pothuajse janë dyfishuar krahasuar me prillin e vitit të kaluar, nga 3.927 në 8.333 hyrje.

Në total, 98% e të huajve kanë hyrë në Shqipëri për arsye personale, kryesisht pushime dhe turizëm. Në të kundërt, hyrjet për biznes dhe aktivitete profesionale kanë rënë me 4.7%, duke treguar se vendi po forcon gjithnjë e më shumë profilin e tij si destinacion turistik dhe jo vetëm ekonomik.

Në katër muajt e parë të vitit, Shqipëria ka regjistruar mbi 5.2 milionë hyrje në territor, ndërsa numri i turistëve të huaj ka arritur në 2.57 milionë.

Këto shifra vijnë në një moment kur shumë qytete bregdetare dhe turistike kanë nisur tashmë sezonin veror. Hotelet dhe strukturat akomoduese në jug dhe në zonat bregdetare kanë raportuar fluks të shtuar që në muajin prill, ndërsa edhe grupet turistike janë shtuar ndjeshëm gjatë muajit maj.