Nga konfiskimi tek e mira publike/ AAPSK: Pasuritë e sekuestruara po kthehen në dobi të qytetarëve
Kryeadministratorja e AAPSK, Risena Xhaja u shpreh se lufta kundër krimit të organizuar ka hyrë në një fazë të re, ku sekuestrimi i pasurive të botës së errët nuk është më akti i fundit, por vetëm fillimi i një transformimi të madh. Qindra prona, automjete dhe biznese me vlera marramendëse ekonomike, të cilat dikur financoheshin nga aktivitetet e jashtëligjshme, tani po kthehen në një armë të fuqishme në duart e shtetit dhe në shërbim të qytetarëve.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Risena Xhaja gjatë një konference të rëndësishme ndërkombëtare, autoritetet kanë marrë një angazhim madhor që pritet të ndryshojë rregullat e lojës: deri në vitin 2025, të paktën 50% e këtyre aseteve mafioze do të kalojnë për përdorim institucional dhe në dobi të komunitetit. Administrimi i tyre ka kaluar në një nivel tjetër profesional, duke rritur ndjeshëm të ardhurat e gjeneruara nga qiradhënia dhe ripërdorimi i tyre.
"T'ju uroj mirëseardhjen në këtë konferencë të rëndësishme ndërkombëtare kushtuar administrimit dhe ripërdorimit të pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara.
Nga konfiskimi tek e mira publike. Vetë tema e konferencës përcjell një mesazh të fortë. Lufta kundër krimit të organizuar nuk përfundon me sekuestrimin apo konfiskimin e aseteve kriminale.
Një pjesë po aq e rëndësishme e këtij procesi është administrimi profesional, transparent dhe efiçent i këtyre pasurive, si dhe kthimi i tyre në dobi të qytetarëve dhe të komunitetit.
Ky është pikërisht misioni i agjencisë. Autoritetet shqiptare kanë marrë një angazhim ndërkombëtar që të paktën 50% të pasurive të konfiskuara të shkojnë në ripërdorim institucional dhe përdorim për komunitetin për vitin 2025. Agjencia këtë e ka kthyer në objektiv dhe mbetet e angazhuar për të bërë të njëjtën gjë dhe në vijim.
Gjatë viteve të fundit në veçanti, agjencia ka përballuar një rritje të konsiderueshme të numrit dhe kompleksitetit të pasurive nën administrim, duke menaxhuar qindra prona, automjete, biznese, asete me vlerë të konsiderueshme ekonomike. Kjo kërkon jo vetëm kapacitete administrative dhe ligjore, por edhe koordinim të vazhdueshëm me institucionet e drejtësisë dhe agjencitë ligjzbatuese.
Në të njëjtën kohë, agjencia ka përmirësuar ndjeshëm mënyrën e administrimit ekonomik të këtyre pasurive, duke rritur në vijimësi të ardhurat e përfituara nga qiradhënia, nga përdorimi i aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara. Këto të ardhura nuk janë parë thjesht si fonde administrative, por janë rikthyer sërish në funksion të forcimit të institucioneve ligjzbatuese dhe të drejtësisë.
Agjencia ka kontribuar në mbështetje me fonde ose pajisje për Policinë e Shtetit, për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion, për Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, si dhe institucione të tjera të sistemit të drejtësisë, përfshirë dhe gjykatat.
Kjo është mënyrë konkrete për të rikthyer vlerën e pasurisë kriminale në interes publik dhe për të mbështetur drejtpërdrejt institucionet që janë në vijën e parë kundër krimit dhe korrupsionit. Por përtej administrimit teknik dhe financiar, sfida më e rëndësishme mbetet përdorimi me impakt për publikun të pasurive të konfiskuara", u shpreh Xhaja.
