Barbra Streisand nderohet në Kanë me “Palmën e Artë të Nderit”/ Ja mesazhi emocionues që la ikona e Hollywoodit

Barbra Streisand shprehu mirënjohjen e saj përmes një mesazhi video gjatë ceremonisë së mbylljes së Festivalit të Filmit në Kanë, ku ajo u nderua me çmimin prestigjioz “Palma e Artë e Nderit”.

Aktorja dhe këngëtarja legjendare nuk ishte fizikisht e pranishme në edicionin e 79-të të festivalit për shkak të një dëmtimi në gju, por dërgoi një mesazh emocional falënderimi, duke përfunduar me fjalët: “Rroftë kinemaja”.

Në videon e saj, Streisand foli për rrugëtimin e saj artistik dhe dashurinë e hershme për kinemanë evropiane. Ajo tregoi se që në moshë të re frekuentonte një sallë kinemaje pranë shkollës së saj, ku zbuloi filmat e regjisorëve të mëdhenj si François Truffaut, Ingmar Bergman, Federico Fellini dhe Akira Kurosawa, të cilët, sipas saj, ndikuan thellësisht në formimin e saj artistik dhe e frymëzuan të bëhej aktore.

Në ceremoninë e së shtunës mbrëma, çmimi u pranua në emër të saj nga Isabelle Huppert. Më pas, në sallën kryesore të Pallatit të Festivaleve u shfaqën fragmente nga filmat më të njohur të Streisand, përfshirë “The Way We Were”, “Funny Girl”, “A Star Is Born” dhe “The Mirror Has Two Faces”, ndërsa publiku e duartrokiti në këmbë kur ajo u shfaq në ekranin e madh.

Në mesazhin e saj, Streisand theksoi gjithashtu se gjithmonë e ka parë kinemanë edhe nga këndvështrimi i regjisores, duke u përpjekur të kuptojë plotësisht rrëfimin e historive dhe të kontribuojë në mënyrë krijuese në filmat ku ka marrë pjesë.