NDRYSHON MODA ESTETIKE/ Vajzat britanike zgjedhin pamje më natyrale estetike

Në Mbretërinë e Bashkuar po ndryshojnë tendencat e kirurgjisë estetike. Për herë të parë, ndërhyrjet për heqje implantesh kanë tejkaluar operacionet për zmadhim. Kirurgët thonë se gratë po orientohen drejt një pamjeje më natyrale dhe një stili jetese më aktiv.

Kirurgjia estetike në Britaninë e Madhe po hyn në një fazë të re, ku prioritet nuk është më zmadhimi, por komforti dhe natyraliteti.

Sipas auditimit më të fundit të Shoqatës Britanike të Kirurgëve Estetikë Plastikë, ndërhyrjet për zmadhim gjoksi kanë rënë me 8 për qind gjatë vitit 2025.

Në total janë kryer rreth 4 mijë e 761 operacione për zmadhim dhe rreth 6 mije operacion per zvogelim dhe heqje impiantesh

Kirurgët estetikë thonë se ky ndryshim lidhet me një transformim më të gjerë të stilit të jetesës dhe standardeve të bukurisë. Gratë po preferojnë një siluetë më natyrale, më praktike për aktivitet fizik dhe më të përshtatshme me modën sportive dhe veshjet e ngushta të tipit “athleisure”.

Rritje është vërejtur edhe në procedurat estetike të fytyrës. Liftingu i fytyrës, kirurgjia e qepallave dhe ngritja e vetullave po bëhen gjithnjë e më të kërkuara. Vetëm procedura për ngritjen e vetullave është rritur me 27 për qind gjatë vitit të fundit.

Në të njëjtën kohë është rritur edhe numri i labioplastikave, procedura kirurgjikale që lidhet me formësimin ose zvogëlimin e labieve. Specialistët thonë se shumë paciente ankohen për siklet gjatë ushtrimeve fizike ose për shqetësime estetike me veshjet sportive.

Ekpertët vlerësojnë se pacientët sot janë më të kujdesshëm dhe më pak të interesuar për ndërhyrje që duken artificiale apo të ekzagjeruara. Sipas tyre, shumë gra që heqin implantet nuk po korrigjojnë një gabim, por po hyjnë në një fazë të re të jetës me prioritete të ndryshme.

Megjithatë, gratë vazhdojnë të dominojnë kirurgjinë estetike, duke përbërë mbi 93 për qind të të gjitha procedurave të kryera gjatë vitit 2025 në Mbretërinë e Bashkuar.