NË KUFIJTË E MBIJETESËS/ Apeli për ndihmë nga 64-vjeçarja me tre të sëmurë në shtëpi, kërkon ndërhyrjen e shtetit
Kjo është Nush Dollapaj, 64 vjeçe.
Prej tre vitesh, ajo jeton në kushte të rënda ekonomike dhe me vështirësi të shumta përballon kostot e jetesës, ndërsa gjendja e saj rëndohet nga dita në ditë.
64-vjeçarja jeton me qira në një banesë pranë Spitalit Psikiatrik, së bashku me bashkëshortin dhe dy fëmijët e saj, të gjithë me probleme të shëndetit mendor.
Situata familjare e vështirë e ka bërë jetesën gjithnjë e më të rënduar.
Ajo tregon se përballet me vështirësi të mëdha për mbijetesë, ndërsa e vetmja kërkesë e saj është një zgjidhje nga institucionet.
64-vjeçarja shprehet se ka nevojë urgjente për një banesë sociale, pasi nuk ka mundësi financiare për të blerë një shtëpi dhe as për t’u zhvendosur larg zonës ku jeton aktualisht, për shkak të gjendjes shëndetësore të familjarëve të saj.
Ajo shton se largimi nga kjo zonë do të ishte i pamundur, pasi do të nënkuptonte shkëputje nga shërbimet shëndetësore që familja e saj ka nevojë në mënyrë të vazhdueshme.
Mes vështirësive dhe pasigurisë, 64-vjeçarja apelon për ndihmë, duke kërkuar një zgjidhje sociale që do t’i siguronte një strehë të qëndrueshme dhe dinjitoze për familjen e saj në vështirësi.

