"Sot janë thirrur për të votuar 51.737 anëtarë të PD"/ Albana Vokshi: Deri në orën 11 kanë votuar 11906 votues
Deputetja e PD-së Albana Vokshi, në cilësinë e kryetares së Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (KOKOE) në PD deklaroi shifrën e anëtarëve demokratë që janë thirrur për të votuar në referendumin e votëbesimit për kreun e PD-së. Gjatë prononcimit ajo tha se procesi i votimit deri tani po shkon i qetë dhe ka pjesëmarrje të lartë.
"Atëherë, kjo është dalja e parë e KOKOE-s, për të, duke qenë transparentë, po ju informojmë për të dhënat e para që kemi marrë nga 77 degë të Partisë Demokratike.
Janë 87 qendra votimi të hapura në orën 8. Votimi do të vazhdojë deri në orën 18. Procesi ka nisur dhe po vijon i qetë, pa asnjë problem, dhe me pjesëmarrje të lartë. Deri në orën 11, në bazë të informacioneve që kemi marrë nga degët, nga komisionet e votimit nga degët, kanë votuar 11.906 votues.
Kjo është e dhëna që kemi marrë tani. Të dhënën tjetër për numrin e votuesve do ta japim çdo dy orë ose çdo tre orë deri në orën 18. Dhe në orën 18 më pas do bëjmë mbylljen e të gjithë numërimit dhe pastaj votimin në të gjitha degët," tha Vokshi.
