‘Meritat i ka Berisha’/ Anëtari i PD: Ka rrëzuar komunizmin, ai e ka fuqinë për ndryshim!

Votimi për referendumin e votëbesimit për kryetarin e PD vijon normalisht edhe në Degën e PD, Pogradec, ku anëtarët kanë shprehur interes për të votuar.

Teksa hodhi votën në qendrën e votimit, e ngritur pranë selisë së degës, anëtari Zini Vlashi e cilësoi kryetarin e PD, Sali Berisha si të vetmin person të denjë për të drejtuar partinë.

Sipas tij, merita kryesore e Berishës mbetet rrëzimi i sistemit komunist, një argument ky që duket se vulos mbështetjen e pakushtëzuar të një pjese të elektoratit.

"Sa të thërrasë ai, unë jam mbrapa," ishte përgjigjja e qytetarit kur u pyet nëse votoi pro vazhdimësisë së Berishës në krye të partisë.

"Procesi ishte shumë i rregullt, shumë i mirë. Sot erdhëm të votojmë për doktor Berishën. Edhe na priftë doktor Berisha, gjithnjë fitore. Ka pjesëmarrje, do vijnë më prapa.

Duhet të jetë Berisha se s'ka ndonjë tjetër. Meritën e ka doktor Berisha. Ka rrëzuar komunizmin, ka rrëzuar sistemin e kaluar, atij i takon, ai ka fuqi. Duhet të jetë në krye të partisë.

Unë prandaj erdha, të votoj për Berishën. Unë sa të thërrasë ai jam në prapavijë: Rri mbrapa tij atje. Sa të thërrasë ai, jam mbrapa unë."