U LA NË MAKINË, NDËRRON JETË 2 VJEÇARJA/ E m*tura nuk i mbijetoi dot temperaturave të larta në automjet

Një vajzë dyvjeçare ka ndërruar jetë në Spanjë pasi u harrua në makinë gjatë orëve shumë të nxehta të ditës. Autoritetet po hetojnë rastin, ndërsa vendi përballet me temperatura ekstreme për këtë periudhë të vitit.

Një ngjarje tragjike ka tronditur Spanjën veriperëndimore, ku një vajzë vetëm dy vjeçe humbi jetën nga temperaturat e larta pasi mbeti për disa orë brenda makinës së babait të saj.

Ngjarja ndodhi në qytetin Brión, në rajonin e Galicias, ndërsa vendi po përballet me një valë të fortë të nxehti që në disa zona pritet të arrijë deri në 38 gradë Celsius.

Sipas mediave spanjolle, babai kishte dërguar fëmijën më të madh në shkollë dhe më pas duhej të çonte vajzën e vogël në çerdhe.

Por një telefonatë e papritur e shpërqendroi dhe ai shkoi në punë, duke e lënë vogëlushen në automjet.

Vetëm pasdite, kur nëna shkoi ta merrte në çerdhe dhe mësoi se ajo nuk ishte dërguar fare aty, familja kuptoi tragjedinë.

Prindërit njoftuan menjëherë shërbimet e emergjencës. Vajza u transportua në një qendër shëndetësore në Bertamiráns, por mjekët konstatuan vdekjen e saj.

Autoritetet lokale kanë nisur hetimet për rastin, ndërsa familja po merr ndihmë psikologjike.

Këshilli bashkiak i Briónit shpalli dy ditë zie dhe organizoi një minutë heshtje në nderim të vogëlushes.

Në deklaratën zyrtare, autoritetet shprehën ngushëllimet më të thella për familjen dhe premtuan mbështetje të plotë në këtë periudhë të rëndë.

Ndërkohë, Agjencia Shtetërore Meteorologjike e Spanjës paralajmëroi se temperaturat e ditëve të fundit janë jashtëzakonisht të larta për këtë periudhë të vitit.

Ekspertët thonë se fenomenet ekstreme të motit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta si pasojë e ndryshimeve klimatike, duke sjellë verëra më të gjata dhe temperatura rekord në të gjithë vendin.