Armëpushim i menjëhershëm dhe hapja e Hormuzit/ Media arabe: Marrëveshja SHBA-Iran mund të shpallet brenda orëve

Media arabe “Al Arabiya” raporton se po diskutohet një draft i një marrëveshjeje të mundshme mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, me ndërmjetësimin e Pakistanit.

Sipas raportimeve, dokumenti mund të publikohet në orët në vijim.

Marrëveshja e përfolur përfshin një armëpushim të menjëhershëm, garantimin e lëvizjes së lirë të anijeve në Ngushticën e Hormuzit dhe një proces gradual për heqjen e sanksioneve amerikane ndaj Iranit.

Burime nga media në Emiratet e Bashkuara Arabe thonë se marrëveshja mund të hyjë në fuqi sapo të bëhet njoftimi zyrtar nga palët.

Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë ka mbajtur një qëndrim më të kujdesshëm, duke bërë me dije se bisedimet kanë avancuar, por ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare për çështjen e Hormuzit.