FAJTORË PËR RRËZIMIN E AVIONIT/ Air France dhe Airbus përgjegjëse për rrëzimin e fluturimit në 2009
Air France dhe Airbus u shpallën fajtore, për rrëzimin e fluturimit AF447 në vitin 2009, ku humbën jetën 228 persona. Familjarët e viktimave e konsideruan të pamjaftueshëm dëmshpërblimin prej 225 mijë eurosh për secilën kompani, ndërsa të dyja kanë paralajmëruar apelim të vendimit.
Air France dhe Airbus janë shpallur fajtore për vrasje nga pakujdesia lidhur me rrëzimin e fluturimit AF447 në vitin 2009, ku humbën jetën 228 persona.
Vendimi u dha nga Gjykata e Apelit në Paris pas një procesi gjyqësor tetëjavor, duke përmbysur vendimin e mëparshëm të vitit 2023 që i kishte liruar kompanitë nga përgjegjësia.
Avioni i linjës Rio de Janeiro - Paris u rrëzua në Oqeanin Atlantik gjatë një stuhie, pasi humbi kontrollin në lartësi mbi 11 mijë metra.
Hetimet franceze zbuluan se aksidenti u shkaktua nga kombinimi i një defekti teknik në sensorët e shpejtësisë dhe reagimeve të gabuara të pilotëve gjatë situatës së emergjencës.
Gjykata e cilësoi sjelljen e kompanive si të papranueshme dhe kërkoi gjobën maksimale prej 225 mijë eurosh për secilën kompani. Megjithatë, familjarët e viktimave e konsideruan shumën simbolike përballë tragjedisë që konsiderohet si katastrofa më e rëndë në historinë e aviacionit francez.
Në bord ndodheshin 216 pasagjerë dhe 12 anëtarë ekuipazhi nga 33 vende të ndryshme, përfshirë Francën, Brazilin, Gjermaninë, Britaninë dhe Irlandën. Mes viktimave kishte fëmijë, mjekë dhe figura të njohura publike.
Kutia e zezë e avionit u gjet vetëm në vitin 2011 pas kërkimeve të gjata në fundin e Atlantikut. Pas aksidentit, industria e aviacionit ndërkombëtar ndryshoi procedurat e trajnimit të pilotëve dhe zëvendësoi sensorët problematikë të shpejtësisë.
Air France dhe Airbus kanë deklaruar se do ta apelojnë vendimin e gjykatës.
