TRUMP FORCON POLONINË/ SHBA dërgon trupa shtesë mes tensioneve me aleatët europianë

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar dërgimin e 5 mijë trupave shtesë amerikane në Poloni, vetëm një javë pasi Pentagoni anuloi një vendosje të planifikuar prej 4 mijë ushtarësh. Vendimi vjen në një moment tensionesh mes Uashingtonit dhe aleatëve europianë të NATO-s, ndërsa administrata Trump paralajmëron ulje të pranisë ushtarake amerikane në Evropë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se Uashingtoni do të dërgojë 5 mijë trupa shtesë në Poloni. Lajmi u bë publik përmes rrjetit social “Truth Social”, ku Trump e lidhi vendimin me marrëdhëniet e tij të ngushta me presidentin polak Karol Nawrocki.

Njoftimi vjen vetëm një javë pasi Pentagoni anuloi papritur një vendosje të planifikuar prej 4 mijë ushtarësh amerikanë në territorin polak. Deri tani, Shtëpia e Bardhë nuk ka sqaruar nëse trupat e rinj janë pjesë e të njëjtit operacion apo një dislokim krejtësisht i ri.

Në javët e fundit, administrata Trump ka sinjalizuar se synon të reduktojë praninë ushtarake amerikane në Evropë, në kuadër të politikës “Amerika e Para”. Më herët gjatë muajit, Uashingtoni njoftoi edhe tërheqjen e 5 mijë trupave nga Gjermania pas përplasjeve mes Trump dhe kancelarit gjerman Friedrich Merz lidhur me krizën me Iranin.

Trump ka kritikuar vazhdimisht aleatët europianë të NATO-s për, sipas tij, mungesën e mbështetjes ndaj politikave amerikane në Lindjen e Mesme dhe për barrën e ulët financiare në mbrojtje.

Çështja pritet të dominojë edhe samitin e ministrave të jashtëm të NATO-s në Suedi, ku Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do t’u kërkojë partnerëve europianë më shumë angazhim dhe më shumë shpenzime për sigurinë.

Ndërkohë, presidenti polak Karol Nawrocki, një mbështetës i hapur i Donald Trump, ka deklaruar më herët se SHBA mbetet garantuesja kryesore e sigurisë europiane dhe se vetëm Trump mund të ushtrojë presion real ndaj Rusisë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Megjithatë, vendimi për lëvizjet ushtarake amerikane ka ngjallur debate edhe brenda SHBA-së, ku disa republikanë paralajmërojnë se reduktimi i pranisë amerikane në Evropë mund të interpretohet nga Moska si një dobësim i NATO-s.