SHBA publikon pjesën e dytë të dosjeve për UFO-t/ Përfshihen raportime për sfera të gjelbra dhe objekte të paidentifikuara
Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara ka publikuar pjesën e dytë të dokumenteve të deklasifikuara që lidhen me UFO-t, të njohura zyrtarisht si fenomene anomale të paidentifikuara.
Në këto materiale përfshihen raportime për objekte të ndryshme të paidentifikuara, si sfera të gjelbra, disqe dhe topa zjarri që janë vërejtur në periudha të ndryshme.
Dokumentet përmbajnë gjithashtu foto dhe video që më herët kanë qenë pjesë e hetimeve sekrete.
Sipas të dhënave të publikuara, një nga dosjet përfshin 116 faqe material që lidhen me disa pamje dhe hetime të kryera në një strukturë ushtarake në Sandia, në shtetin e New Mexico, gjatë viteve 1948–1950.
Në total përmenden 209 raportime për objekte të pazakonta pranë bazave ushtarake.
Publikimi i këtyre materialeve është bërë pas urdhrave për deklasifikim që kanë nisur më herët, ndërsa pjesa e parë e dokumenteve ishte publikuar më 8 maj.
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka bërë të ditur se këto materiale kanë nxitur prej vitesh diskutime dhe spekulime, dhe se publikimi i tyre synon t’i japë publikut mundësinë të shohë vetë informacionet ekzistuese.
Megjithatë, ekspertët që kanë shqyrtuar pjesën e parë të dokumenteve thonë se nuk ka prova të qarta që tregojnë për teknologji aliene apo jetë jashtëtokësore.

