Ish-partnerja e “El Chapo”-s rrëfen jetën nën kontroll: Ndihesha e monitoruar gjatë gjithë kohës
Lucero Sánchez, e njohur si “La Chapodiputada” dhe ish-partnerja e bos-it të drogës Joaquín “El Chapo” Guzmán, ka folur për herë të parë në detaje mbi jetën e saj gjatë marrëdhënies me të.
Në një podcast në Meksikë, ajo tregoi se gjatë asaj periudhe ka përjetuar presion dhe kontroll të vazhdueshëm, duke e përshkruar lidhjen si një situatë të vështirë psikologjike.
Sipas saj, ajo është ndier e kufizuar dhe e monitoruar nga Guzmán gjatë gjithë kohës.
Sánchez u shpreh gjithashtu se sot e sheh atë periudhë si një fazë të errët të jetës së saj dhe se ka kaluar nga një jetë e thjeshtë si parukiere, në përfshirje në politikë në Meksikë, ku në vitin 2013 u zgjodh përfaqësuese në Kongres.
Ajo ka bashkëpunuar më vonë me drejtësinë amerikane dhe ka dëshmuar gjatë procesit gjyqësor ndaj “El Chapo”-s në New York.
Joaquín Guzmán u arrestua në vitin 2016 dhe në vitin 2019 u dënua me burgim të përjetshëm në SHBA për drejtimin e një prej karteleve më të mëdha të drogës në botë.

