NYT: Izraeli me dy baza sekrete në shkretëtirën e Irakut/ Zbulohen operacione të fshehta ushtarake pranë kufirit me Iranin
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, Izraeli ka operuar për më shumë se një vit me dy baza ushtarake sekrete në territorin e Irakut, të vendosura në zonat e shkretëtirës në perëndim të vendit.
Fillimisht ishte raportuar për një bazë, por burime të ndryshme mediatike bëjnë të ditur se në fakt bëhet fjalë për dy objekte ushtarake.
Sipas këtyre raportimeve, bazat janë ngritur në fund të vitit 2024 dhe dyshohet se mund të jenë përdorur në kuadër të përgatitjeve për operacione kundër Iranit në vitin 2025.
Njëra prej bazave u zbulua në fillim të marsit nga një bari irakian, i cili më pas humbi jetën në rrethana të paqarta. Vendndodhja e tyre ka mbetur e fshehtë për një periudhë të gjatë.
Mediat raportojnë gjithashtu se Shtetet e Bashkuara kanë qenë në dijeni të ekzistencës së këtyre bazave, të cilat fillimisht janë lidhur me praninë amerikane në rajon.
Megjithatë, sipas të njëjtave burime, ky informacion nuk është ndarë me autoritetet në Bagdad.
Autoritetet irakiane nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar lidhur me këto pretendime.

