Lëvizje e re nga Teherani/ Plan për taksimin e kabllove të internetit që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit
Irani po shqyrton mundësinë që kompanitë më të mëdha teknologjike në botë të paguajnë për përdorimin e kabllove nënujore të internetit që kalojnë nëpër zonën e Ngushticës së Hormuzit.
Sipas raportimeve të CNN, ky plan është diskutuar nga ligjvënës iranianë dhe është shoqëruar me paralajmërime se trafiku i internetit mund të ndërpritet nëse nuk respektohen kushtet e vendosura nga Teherani.
Zyrtarë iranianë kanë bërë me dije se kompanitë si Google, Microsoft, Meta dhe Amazon mund të detyrohen të paguajnë tarifa dhe të ndjekin rregullat lokale për përdorimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së kabllove.
Nuk është e qartë ende se sa nga këto rrjete kalojnë realisht në ujërat e kontrolluara nga Irani, ndërsa ekspertët thonë se zbatimi i një plani të tillë është i vështirë për shkak të sanksioneve amerikane.
Megjithatë, media iraniane ka paralajmëruar se çdo dëmtim apo ndërprerje e kabllove mund të ndikojë në rrjedhën globale të internetit dhe komunikimeve.

